Në historinë e Vllaznisë kanë lënë gjurmë shumë emra të cilët e kanë shkruar me gërma të arta atë. Por kuptohet që edhe shumë të tjerë nuk ia kanë dalë, për një arsye apo një tjetër. Dhe njëri ndër ta është edhe ish- portieri Ardjan Kimça.

Ai u largua nga futbolli në moshën më të mirë, kur ende nuk i kishte mbushur 20 vjeç dhe kur sapo kishte shkelur tek ekipi i parë i Vllaznisë duke qenë pranë realizimit të ëndrrës së tij të madhe.

Mbase e detyruan të bënte një veprim që i kushtoi shumë, por Ardjani e bëri sepse e ndiente që ndonjë nga drejtuesit e klubit kishte dëshirë ta pengonte në karrierën e tij sportive dhe si rrjedhojë, nga ai moment, karriera e tij mori fund.

Një karrierë që në fakt pat nisur në mënyrën e duhur. I datëlindjes 13 korrik 1971, Kimça duke e pëlqyer së tepërmi futbollin, e bind familjen për ta rregjistruar tek ekipet e moshave të Vllaznisë dhe e fillon që nga mosha 12 vjeçarëve kur rregjistrohet me ekipin e pionerëve që drejtohej nga trajneri Lekë Koçobashi.

Më pas, në vitin 1984, ndonëse është vetëm 13 vjeç grumbullohet me ekipin e paratërinjve duke patur trajner Ismet Hoxhën. Me këtë ekip do të luante deri në vitin 1987, për të kaluar më vonë tek ekipi i të rinjve ku ka trajner Fatmir Paçramin dhe Esat Rakiqin.

Në vitin 1988 do të niste studimet e larta në Tiranë ku do të bëhej pjesë e ekipit të të rriturve të Partizanit ku trajner kishte të mirënjohurin Neptun Bajko. Atje Kimça nuk qëndron më shumë se dy vite sepse ndërpret studimet dhe do të rikthehej tek Vllaznia pikërisht në vitin 1990 dhe rregjistrohet me ekipin Shpresa duke patur si trajnerë të mirënjohurit Ramazan Rragami dhe Agim Medja.

Njëkohësisht është pjesë herëpashere edhe e ekipit të parë të Vllaznisë por karriera e tij nuk do të zgjaste shumë për shkakun e mësipërm.
Megjithatë, në vite, Ardjan Kimça ka marrë shumë vlerësime nga trajnerë e specialistë si një portier me të dhëna shumë të mira, por që për fat të keq, nuk ia doli të linte gjurmë.

Largimi shpejt nga fusha e blertë, nuk do të thotë se Ardjani e ka braktisur futbollin edhe nga jashtë. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga tifozët më të zjarrtë të Vllaznisë dhe nuk ka ndeshje që nuk është i pranishëm në tribunën VIP për ta mbështetur atë. E bën këtë gjë, pavarësisht është i dashuruar me këtë lojë dhe me ngjyrat kuqeblu, me të cilat do të jetë i lidhur përjetësisht.


PROFIL

Emri: Ardjan Kimça

Datëlindja: 13.07.1971

Karriera:

1982- 84 Vllaznia U12

1984- 87 Vllaznia U16

1987- 88 Vllaznia U18

1988- 90 Partizani

1990- 91 Shpresat e Vllaznisë

Ne foto Ardjan Kimça (djathta) perkrah Lulzim Bershenit)