Artan Jazxhi është një nga liderët në mbrojtjen e Teutës. Me një performancë shumë të mirë në ndeshjen kundër Bylisit, mbrojtësi i qendrës flet në një intervistë për “Panorama Sport”.
Ai shprehet se këtë nisje, ekipi do ta shfrytëzojë nga ana morale dhe gjithashtu edhe me Elbasanin do të kërkojnë fitoren.
Artan, Teuta e nis me fitore, sa të rëndësishme ishin ato tri pikë që në ndeshjen e parë?
Për ne ishte e rëndësishme të merrnim tri pikët, por gjithashtu rëndësi ka edhe mënyra sesi luajtëm, ku ra në sy që ishim si një skuadër. Kështu mund të them se jam i kënaqur me paraqitjen në përgjithësi, pavarësisht se gjatë 90-ë minutave kishim disa momente ku shfaqëm defekte të veçanta, por është e rëndësishme që dominuam kundërshtarin.
Keni disa ditë kohë dhe luani përballë Elbasanit, çfarë prisni?
Elbasani është skuadër cilësore dhe këtë sezon ka pritshmëri të larta, por që ky kampionat tregon se asnjë kundërshtar nuk guxon ta nënvlerësosh. Mirëpo mendoj se më së shumti pyetemi ne dhe nëse ne do të jemi në nivel, mendoj se çdo skuadër mund ta mundim. Të hënë, bashkë me publikun që do të na ndjekë, mendoj se do japim 100% për të marrë fitoren.
Si e parashikoni këtë takim, në këtë situatë do ju kënaqte edhe një pikë me verdheblutë, apo nuk vlen?
Siç e përmenda më lart, Teuta është e ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje në krahasim me ekipet e tjera. Teuta nuk është e kënaqur me barazimin, do të kërkojmë maksimumin në këtë takim, e kemi studiuar Elbasanin dhe ia dimë pikat e forta dhe pikat e dobëta dhe them se do të jetë një përballje interesante.
Si e shihni vazhdimësinë e skuadrës në këtë sezon?
Rëndësi ka që e kemi nisur me fitore, gjë që ndihmon dhe në entuziazmin e ekipit për ndeshjet në vazhdim në këtë start të sezonit. Mirëpo, tani nuk ka kohë të mendojmë për ato që kanë kaluar, duhet të shikojmë përpara dhe siç e thashë kemi shumë punë për të bërë, por patjetër duhet të shohim nga ndeshja në ndeshje. Të hënën na pret ndeshje e vështirë me Elbasanin, ku patjetër do të kërkojmë të marrim më të mirën.
Është ky ekip i denjë për “Final 4”?
Unë besoj fuqishëm së pari te bashkëlojtarët e mi, në gjithë ekipin. Besoj se mund t’ia dalim dhe se gjithçka varet nga ne. Normale, sapo kemi nisur sezonin, mirëpo me punë do mundohemi ta arrijmë. Siç e thashë, kemi shumë ndeshje dhe nëse do të jemi maksimalisht të angazhuar, nëse punojmë me veten më shumë, mendoj se kemi shanse të mira. Por, akoma është herët të bisedohet konkretisht për vendin e 4-t, pasi mendoj se më e mençur është të shkojmë nga ndeshja në ndeshje. Dhe vetëm ashtu mund të bëjmë sukses të madh