Gjenialë, të rregullt, talent, por mbi të gjitha shumë disiplinë mendore. Është ky sekreti i jetëgjatësisë sportive të atyre që përtypin suksese ndër vite, pavarësisht moshës mbi 35 vjeç si në rastin e Zlatan Ibrahimoviç, apo edhe yllit të futbollit amerikan (regbisë), Tom Bredi, e për të arritur te Kristiano Ronaldo, i cili në momentin e parë që u akuzua “si i mbaruar”, i vuri në heshtje të gjithë me tripletën ndaj Kaljarit.

“Ronaldo ka një talent të pashtershëm, por një profesionalizëm jashtë normales, duke parë mënyrën e rreptë se si ndjek dietat ushqimore dhe stërvitjen e trupit të tij në detaje, falë së cilës arrin ende të bëjë diferencën në moshën 36-vjeçare”. Është ky mendimi i doktorit Daniele Kasalini, mjekut sportiv, kirurgut ortoped dhe përgjegjësit të spitalit ortopedik të Monzës, i cili aktualisht është edhe mjeku i Interit.

Doktor, cilët janë faktorët që garantojnë jetëgjatësinë sportive të profesionistëve të niveleve të Ibrës, Ronaldos dhe Bredit?

Atletë si këta që po pyesni nuk limitohen kurrë së ndjekuri vetëm stërvitjen normale sportive, por thellohen që të kuptojnë më shumë mbi mënyrën sesi funksionon fiziku i tyre, çfarë nevojë kanë muskujt që të ushqehen dhe si të forcojnë mekanizmat e trupit të tyre që të mposhtin vitet që kalojnë. Shpeshherë kampionë të tillë janë sidomos maniakë të mënyrës të të ushqyerit dhe përgatitjes fizike.

Sa i rëndësishëm është gjumi për të rikuperuar forcat?

Është thelbësor, por jo vendimtar. Unë kam njohur futbollistë që natën përpara ndeshjes e kalonin pa gjumë totalisht. Rasti tipit është ai i Marko Tardelit, mesfushor i madh i Kombëtares italiane që fitoi Botërorin në vitin 1982. Tardeli, mbrëmjen përpara ndeshjes nuk flinte kurrë, pasi kishte shumë adrenalinë në trup, e cila shpërthente pikërisht në momentin që shkelte fushën.

Ndërsa Ronaldo është e kundërta, fle shumë, por me seanca të shkurtra gjatë ditës. Ndoshta, shumë vite më parë kishte më shumë fantazi në kokën e talenteve të mëdhenj, por kjo fantazi ndonjëherë edhe të dëmtonte si në rastin e Maradonës që as mund të ëndërrohej ta kapte 40-vjetori në fushë.


Përveç stilit të rregullt të jetesës, ka diçka tjetër që bën diferencën e madhe?

Diferencën e bën vetëm truri. Nëse arrin të disiplinosh mendjen, si në rastin e Ibrës, Ronaldos dhe Bredit, duhet të kesh sidomos një karakter të fortë, të jesh i profilizuar dhe i bindur se deri kur trupi yt mund të vazhdojë të japë maksimumin dhe ta kurosh atë në detaje. Duhet ta duash atë që bën si profesion.


Pra, më shumë se fiziku dhe talenti vlen disiplina?

Po, disiplina mendore është decizive. Përpara se të stërvitësh fizikun duhet të stërvitësh mendjen. Shpesh duhet të jesh maniak i asaj që duhet të bësh për të arritur në të tilla nivele, duhet të kesh një ego që nuk duhet t’u qëndrojë indiferente as kundërshtarëve kur të takojnë në fushë. Talenti është një pjesë, stili i jetës gjithashtu, por pa mendjen, nuk ka garanci për jetëgjatësinë në sport.


Nëse është e mundur të japim një numër, cili është limiti i moshës, në të cilin as disiplina mendore nuk është më e mjaftueshme për të vazhduar me rezultate të larta?

Mosha e sportistëve po rritet, falë edhe ndihmës së shkencës së të ushqyerit, e cila ndihmon shumë fizikun. Mosha maksimale deri kur trupi mund të të përgjigjet mirë është 35 vjeç, por më pas janë vetëm këta maniakë të profesionit si Ibra, Ronaldo, Bredi që bëjnë diferencën, duke i mohuar vetes shumë vese që mund të kenë ata lojtarë të tjerë të mëdhenj, të cilët kur prekin moshën 35 vjeç, mund të jenë në fushë, por zbresin kategori pas kategorie. Ndaj, diferencën e bëjnë vetëm kampionët që ndër vite kanë stërvitur trurin përpara fizikut.