Kampionatet e futbollit në mbarë Europën tashmë po startojnë sezonin e ri. Ditën e djeshme është hapur zyrtarisht edicioni 2024-25 edhe në Kosovë. Ku ekipi kampion i vendit, Ballkani bëri debutimin me një fitore. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja arriti të mposhte në shtëpi me shifrat 2-0 Dukagjinin. Duke i bërë kështu një nisje pozitive sezonit.
Titullar me skuadrën portokalli u paraqit edhe futbollisti shkodran, Geralb Smajli. Mbrojtësi i djathtë u preferua që nga minuta e parë nga ana e Dajes. I cili po ashtu në aspektin personal duket se e ka nisur pozitivisht edicionin 2024-25. Performanca e 22-vjeçarit ka qenë relativisht pozitive, duke treguar se nga ndeshja në ndeshje po përshtatet me skuadrën e re.
Smajli u transferua në këtë merkato tek Ballkani. Ku pas nuk arriti marrëveshjen për rinovimin e kontratës tek Vllaznia, vendosi ti bashkohej kampionëve të Kosovës. Kjo është aventura e parë e mbrojtësit jashtë Superligës. Në vendin tonë ai është aktivizuar vetëm tek Vllaznia për 3 sezone, ku në edicionin e fundit ishte edhe një nga lojtarët më të spikatur tek kuqeblutë.
Nga ana tjetër Ballkani tregon edhe njëherë që ka ambicie edhe në sezonin e ri. Objektivi mbetet i njëjtë për ekipin nga Suhareka, që është fitimi i titullit kampion. E ndërsa po ashtu skuadra aktualisht vijon edhe aventurën në turin e tretë të Conference League, ku ndaj Larnes do kërkojë përmbysjen pas humbjes në ndeshjen e parë në shifrat 0-1.
Endri ÇINARI