Medalja e artë e Botërorit rreth qafës është ëndrra e çdo vogëlushi që ka pasion të tij futbollin dhe që një ditë shpreson të përfaqësojë vendin e tij në një kompeticion të tillë. Por për të shkuar deri aty, të gjithë i njohin punën dhe sakrificat që duhet të bëjnë, që padyshim kalon edhe nga paraqitja e secilit lojtar në klubet përkatëse.

Nga ana tjetër klubet vërtet nuk shtojnë asnjë prej këtyre medaljeve apo trofeve në palmaresin e tyre, por krenaria dhe prestigji që sjell pasja e një kampioni bote në gjirin e skuadrës është burim frymëzimi për gjithë ambientin.

Në vazhdën e klasifikimeve në prag të Botërorit, ai i mëposhtmi i përket klubeve që kanë pasur më shumë lojtarë kampionë bote në organikë në historinë e tyre, ku dominojnë klubet italiane dhe vërehet mungesa e atyre angleze.

JUVENTUS (25) – Bardhezinjtë janë skuadra që ka mirëpritur më shumë kampionë bote në momentin e kurorëzimit të tyre, një kombinim mes italianëve e francezëve. Italianët Bertolini, Varlien, Kaligaris, Borel, Kombi, Ferrari, Monti, Orsi dhe Rozeta në 1934, Foni e Rava në 1938 dhe Xof, Kabrini, Xhentile, Shirea, Tardeli e Rosi në 1982 u pasuan më pas nga francezët Deshamp e Zidan në 1998. Gjenerata tjetër e “Axurrëve” të 2006-ës përbëhet nga Bufon, Kanavaro, Del Piero, Kamoranezi e Zambrota të ndjekur po nga francezi Matuidi në 2018.

BAJERN MYNIH (24) – I pari i listës prej 24 lojtarëve kampionë të bavarezëve është Hans Bauer, por janë 7 gjermanët kampionë në 2014-ën që ndryshojnë balancat. Bauer në 1954, Braitner, Shvarzenbek, Maier, Bekenbauer, Myler, Hënes e Kapelman në 1974, Rojter, Kohler, Augenthaler, Auman, Ton, Pflygler në 1990, braziliani Zhorzhinjo në 1994 e Lizarazu në 1998 ishin kampionët e shekullit të 20-të që paraprinë gjeneratën e 2014- ës të përbërë nga Nojer, Shvajnshtaiger, Myler, Lahm, Kros, Gëce, Boateng dhe më pas francezin Toliso në 2018.

INTERI (19) – Historia e kampionëve të botës me këtë fanellë nis që nga 1934. Alemandi, Kastelaci, Demaria, Meaca në 1934 e katër vite më vonë Ferrari, Ferraris, Lokatelli, Olmi e Meaca ishin ata që u hapën rrugën fitimtarëve të 1982: Bergomi, Marini, Bordon, Oriali e Altobeli. Gjermanët Mateus, Brehme, Klinsman në 1990 dhe francezi Xhorkaef në 1998, i lanë vendin edhe dy kampionëve të mijëvjeçarit të ri, brazilianit Ronaldo në 2002 e italianit Materacit në 2006.

ROMA (15) – Një rreshtim prej 10 lojtarësh italian ai i kampionëve të botës së verdhekuqve. Ferraris, Guaita, Mazeti në 1934, Donati, Monzelio, Serantoni në 1938, Konti në 1982, u pasuan nga gjermanët Voler e Berthold në 1990, braziliani Aldair në 1994, francezi Kandela në 1998 e Kafu në 2002, për t’u rikthyer më pas përsëri tek italianët De Rosi, Perrota e Toti në 2006.

PENAROL (14) – Klubi uruguaian i miteve si Skiafino, Gixha e Varela, protagonistë në triumfin e 1950, të njohur si “Marakanazo”,ka pasur përfaqësuesit e tij në Botërorin e 1930: Riolfo, Gestido, Fernandez, Kapuçini, Anselmo. Në 1950 tre të sipërpërmendurve u janë shtuar Britos, Gonzalez, Maspoli, Migez, Ortuno, e Vidal.

NACIONAL (13) – Të gjithë uruguaianë ata që kanë ngritur lart emrin e ekipit të Montevideos, në dy triumfe në Kupën e Botës: në 1930 Skarone, Urdinaran, Andrade, Kastro, Sea, Petrone, Piriz e Rekoba dhe në 1950 Gambeta, Paz, Perez, Pini e Tehera.

SANTOS (12) – Pele, kampion në tri edicione, është padyshim emri më i madh i listës së klubit brazilian. Pepe e Zito në 1958, Pele në 1958, 1962 e 1970, Gilmar, Mauro, Kutinjo, Mengalvio në 1962 janë shoqëruar në 1970 edhe nga Karlos Alberto, Klodoaldo, Zhoel dhe Edu.

REAL MADRID (11) – Kontribuues absolut në kombëtare, madrilenët krenohet më së shumti me triumfin e tyre në 2010 me Kasijasin, Serxho Ramosin, Albiolin e Ksabi Alonson. Para tyre lakohen gjermani Netcer në 1974, argjentinasi Valdano në 1986, francezi Karambë në 1998 ndërsa më pas gjermani Kedira në 2014 dhe francezi Varan në 2018.

MILAN (10) – Edhe te kuqezinjtë dominojnë kampionët italianë. Arkari në 1934, Kolovati e Barezi në 1982 dhe Nesta, Gatuzo, Xhilardino, Pirlo e Inzagi në 2006 kanë edhe dy “të huaj” në këtë listë si francezi Desai në 1998 e braziliani Roke Zhunior në 2002.

BARCELONA (9) – Historia e triumfuesve katalanas nis nga 1994, me brazilianin Romario, për të vazhduar me një tjetër brazilian si Rivaldo në 2002, për t’ua lënë vendin spanjollëve të 2010-ës, ku dominonin “blaugranët” me plot 7 lojtarë: Pike, Pyjol, Buskets, Iniesta. David Vija, Valdes. Edhe në 2018, Barça tha fjalën e saj nëpërmjet francezëve Umtiti e Dembele.