I operuar në fund të majit për një problem në gju, Zltan Ibrahimoviç vijon rrugën drejt shërimit. Ai synon të jetë i gatshëm për sfidën e dyfishtë me Totenhemin për 1/8-at e Champions-it, teksa progresin e tij e tregon shumë shpesh duke postuar video në profilet e tij në rrjetet sociale.

Më 11 dhjetor ai do të jetë pjesë e organikës, që nën urdhrat e Piolit do të kryejë një grumbullim në Dubai, por vizita në epiqendrën arabike ka nisur. Dje 41-vjeçari ka qenë pjesë e grupit të përbërë nga trajneri Pioli dhe drejtuesit Masara e Maldini, që kanë marrë pjesë në ceremoninë e çmimeve “Globe Soccer”, ku është vlerësuar për karrierën. Në kuadër të ceremonisë, suedezi ka dhënë edhe një intervistë të shkurtër për rrjetin “SKY” që mbuloi mediatikisht eventin në fjalë.

Si është gjendja juaj dhe kur do të ktheheni në fushë?

Mezi pres t’i kthehem punës me grupin me kohë të plotë. Sidoqoftë, unë kam nisur të punoj e shpresoj t’i marr frytet e gjithë sakrificave që po bëj në këto muaj. Fatmirësisht ndihem mirë. A nuk dukem mirë?

Si ju duket renditja e Milanit në këto momente?

Jemi në vend të dytë, vetëm sepse Napoli ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. Për mua ka shumë rëndësi mendësia dhe shokët e mi po shfaqin të duhurën. Skuadrën e shoh të rritur dhe po bëjnë një punë të mirë, por siç thashë është Napoli që po ecën shumë më shpejt. Renditja nuk është e keqe, por rëndësi ka se si do të jetë në pjesën e dytë të sezonit.

Besoni te titulli?

E përse të mos besojmë. Gjithmonë kemi besuar. Jemi kampionët e Italisë në fuqi. Kemi të gjitha të drejtat për të synuar ta bëjmë përsëri tonin atë trofe. Skuadra ka cilësi dhe tashmë edhe përvojën që nevojitet për të synuar të tillë objektiva. Nuk duhet harruar se jemi Milani dhe qëllimi ynë janë trofetë.

Keni ardhur deri në Dubai me Maldinin dhe Masarën. Si e gjykoni punën e tyre?

Flasin faktet, por nëse doni vërtetë mendimin tim mund të them se merita është e tyre nëse Milani po bën këtë rrugëtim. Ata e kanë rritur skuadrën dhe klubin e do të vazhdojnë ta bëjnë tani që është në duart e pronarëve të rinj. Mendoj se po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Të gjithë kanë përgjegjësi të mëdha dhe askush nuk tërhiqet. Për mua kjo është fryma e duhur.

Thuhet se do të ktheheni për Champions-in. Sa e vërtetë është?

Do të jem më skuadrën së shpejti dhe synoj të jem gati sa më shpejt. Për Champions-in apo kampionatin, nuk e di. Ndaj Totenhemit ka për të qenë shumë e vështirë, sepse ndeshjet në Ligën e Kampioneve janë gjithmonë të tilla. Është një duel i hapur dhe nuk ka favoritë. Për të kaluar turin duhet të jesh mirë në momentin që luhen ndeshjet.

Çfarë shembulli duhet të ndjekin të rinjtë?

Çdo brez duhet të ketë shembujt e tij. Secili nga ne veteranët duhet të jetë shembull me fakte përveç se me fjalë. Përndryshe nuk mund të jesh i besueshëm. Personalisht nuk e kam humbur pasionin në punën time dhe besoj se mund të jem ende një shembull për të rinjtë.

Sa ndikon fiziku në futbollin aktual?

Ky sport po bëhet gjithmonë e më shumë fizik dhe me kalimin e viteve është normale që të humbasësh diçka në forcën tënde. Nëse ruan formën, atëherë kompenson shpejtësinë me inteligjencë.

Po paratë çfarë ndikimi kanë?

Ka të rinj që bëhen menjëherë të famshëm, sepse dalin në pah në klube të mëdha, të cilat i paguajnë shumë mirë duke i bërë të pasur. Kjo mund t’i bëjë mendjemëdhenj këta të rinj, megjithatë në përgjithësi besoj se paratë janë një investim që i rrisin të gjithë.

Klubet më pak të pasura, çfarë duhet të bëjnë atëherë?

Duke mos pasur potencial të madh ekonomik u duhet të punojnë me inteligjencë. Këtu hyjnë në lojë të moshuarit që ndihmojnë të rinjtë të piqen. Të mos harrojmë se ka edhe ekstreme si PSG-ja që brenda një vere mund të ndërtojë një ekip ëndrrash.

Cili është pasioni dhe idhujt tuaj në sport?

Pasion është gjithçka që të shtyn të ecësh përpara. Jam 41 vjeç dhe pa pasion nuk do të mbijetoja dot. Gjithçka në botën e sportit ecën me një ritëm të çmendur. Më duhet të punoj fort çdo ditë, të stërvitem dhe të mendoj për rikuperimin energjik. Pasioni mbizotëron në çdo proces. Pa të humbet edhe disiplina. Sa për idhujt, i imi është Muhamed Ali, por nëse duhet të zgjedh një futbollist do të thosha Ronaldo ‘Fenomeni’. Ai më ka infektuar me pasionin për futbollin.

Pra nuk keni ndër mend të ndaleni?

Kam ende punë për të kryer. Karriera nuk është individuale e nuk ka mbaruar, ndaj duhet të falënderoj familjen time dhe tifozët.