Nga Endri ÇINARI
Dy golat e Vllaznisë kundër Skënderbeut konfirmuan edhe njëherë se kuqeblutë janë sulmi më efektiv dhe u rrezikshëm në kampionat. Kjo pasi pas 12 javësh së Superiores, shkodranët kanë shënuar 20 gola. Më shumë se askush tjetër, duke qëndruar në krye të tabelës jo vetëm me pikë, por edhe përsa i përket golave të shënuar.
Pas Vllaznisë në këtë renditje speciale vjen Dinamo me 18 gola të shënuar, ku 5 prej tyre erdhën në fitoren e fundit 0-5 ndaj Elbasanit. Treshen e skuadrave me më shumë gola të shënuar e mbyll Partizani me 16 gola të shënuar pas 12 javësh. Por tek Vllaznia po ashtu momentalisht është edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Bekim Balaj po vijon me formën e shkëlqyer të sezonit të shkuar, ku ishte edhe fitues i “Këpucës së Artë” me 17 gola të shënuar. Një rekord që duket se do thyhet, kur në një moment shtatlarti ka shënuar 8 gola deri më tani këtë edicion të Superiores. Ku një kontribut të veçantë ka dhënë edhe Mala, me mesfushorin që ka gjetur rrjetën 4 herë.
Një fakt që duhet të përmirësohet tek Vllaznia është pësimi i golave. Ku kuqeblutë janë ndër ekipet më të ndëshkuara me 15 gola të pësuar. Që në ndeshjen ndaj Skënderbeut u shikuan shenja pozitive, ku skuadra e mbajti portën e paprekur. E në këtë mënyrë kërkohet vazhdimësia e kësaj forme edhe në ndeshjet e rradhës për kuqeblutë./www.shkodrasport.com/