Teuta synon të lërë pas periudhën pa fitore sot në Elbasan.
Kapiteni i saj, Blerim Kotobelli, e sheh me optimizëm përballjen e sotme me Dinamon. Në një intervistë për “Panorma Sport” ai është shprehur se skuadra ka punuar shumë që të rigjejë fitoren, që mungon prej shumë javësh. Durrsakët vijnë në këtë sfidë nga humbja me Vllazninë në Shkodër dhe nuk do të kenë të gatshëm mbrojtësin Artan Jazxhi të skualifikuar për shkak kartonësh. Në anën tjetër, Simeu dhe Vila, të cilët kanë qenë të dëmtuar, duket se nuk janë gati për ta nisur nga minuta e parë këtë ndeshje.
Kotobelli, si paraqitet gjendja në skuadër parë ndeshjes së radhës me Dinamon?
Grupi është i gatshëm për këtë ndeshje dhe besoj se të gjithë futbollistët do të japin gjithçka nga vetja për të marr më të mirën nga ky takim i vështirë.
A është kjo ndeshje prova e se vërtetës për Teutën?
Ndeshja do të jetë shumë e fortë pa dyshim, sepse Dinamo ka një ekip shumë të mirë, të kompletuar. Ne ndeshjet i vlerësojmë njësoj, nuk ka rëndësi ndaj kujt luajmë. E dimë që duhet të impenjohemi maksimalisht që të marrim maksimumin e pikëve, kështu që e vlerësojmë thjesht si ndeshje radhe.
Keni ndonjë parashikim për rezultatin?
Nëse japim maksimumin tonë, kam besim se do të marrim rezultat pozitiv. Rëndësi ka që Teuta të fitojë, se me çfarë rezultati dhe se kush shënon gol, është tjetër punë.
I druheni Dinamos në këtë përballje?
Jo, nuk i druhemi as Dinamos dhe as asnjë kundërshtari tjetër. Të gjithë mund të fitojnë, apo të gjithë mund të humbasin. Jemi shumë të qetë, nuk kemi presion.
Sa ka ndryshuar Teuta nga ajo e një sezoni më parë?
Kemi pasur një ekip shumë të mirë edhe vitin e kaluar, por tani kemi një stil të ri loje, që mua më pëlqen personalisht. Trajneri Martini kërkon nga ne vetëm që të bëjmë në lojë atë që bëjmë çdo ditë në stërvitje.