Situata tek Al Nassr është gjithçka tjetër veçse e qetë. Pas një sezoni zhgënjyes në aspektin sportiv, klubi nga Riadi ka hyrë në një fazë të paqëndrueshmërisë së thellë dhe sinjalet e para të krizës tashmë kanë shpërthyer në publik. Largimi i administratorit të përgjithshëm, Majed Jaman Alsorour, ka qenë hapi i parë i një revolucioni të paralajmëruar.

Vetë Alsorour e konfirmoi përmes një reagimi të ashpër në rrjetet sociale:

“Jam larguar në një mënyrë joprofesionale dhe të papranueshme. Do të ndërmarr veprime ligjore kundër drejtuesve të klubit”, shkroi ai në platformën X.

Sipas burimeve pranë klubit, kjo lëvizje është shtyrë nga Cristiano Ronaldo, i cili ka kërkuar me vendosmëri ndryshime të thella në strukturat drejtuese si kusht për të vijuar qëndrimin në Arabinë Saudite përtej kontratës që përfundon më 30 qershor. Portugezi e ka bërë të qartë: ekipi duhet të jetë realisht konkurrues në sezonin e ardhshëm.

Në shënjestër është edhe drejtori sportiv, Fernando Hierro, që është vënë nën presion për shkak të rezultateve zhgënjyese. Legjenda e Real Madridit po punon për përforcimin e skuadrës dhe për gjetjen e një trajneri të ri.

Eksperienca e Stefano Piolit nuk rezultoi aspak e suksesshme. Ish-trajneri i Milanit nuk arriti të përmbushte asnjë nga objektivat e vendosur, duke e mbyllur aventurën me një bilanc negativ.

Tani, me Ronaldon në rolin e liderit që dikton vizionin për rilindje, Al Nassr pritet të kalojë në një fazë rindërtimi total.