Humori i Toni Kroos edhe një herë tjetër ka ‘vjedhur’ vëmendjen e të gjithëve për shkak të një postimi të tij qesharak në internet pas golit të 900-të të Cristiano Ronaldos.
Edhe në moshën 39-vjeçare, ylli portugez po vazhdon të vendos rekorde të reja teksa së fundmi u bë lojtari i parë në histori të futbollit që kap shifrën e 900 golave zyrtarë të shënuar.
Shumë prej kolegëve të tij, nga e kaluara dhe e tashmja, e uruan Ronaldon për rekordin e tij të jashtëzakonshëm dhe Kroos, i cili kaloi disa sezone me të tek Real Madridi, doli të ishte njëri prej tyre.
Sidoqoftë, gjermani i njohur për sensin e tij të humorit, zgjodhi që urimin për Ronaldon ta bëjë me stil përmes platformës X (ish-Twitter).
“Nuk i arrijë 900 edhe nëse i kombinoj golat e shënuar gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve”, ka shkruar Kroos në platformën X.
Kroos në fakt ka shënuar 183 gola në karrierën e tij ndërsa 17 prej tyre kanë ardhur me kombëtaren.
Teksa rekordi i tij nuk është aspak afër 900 golave të Ronaldos, rekordi i tij i golashënimit është më i mirë se shumë mesfushorë legjendarë si Xavi (124) dhe Andres Iniesta (107).
Kroos para pak kohëve i kishte dhënë fund karrierës së tij, ndërsa Ronaldo po vazhdon të shkëlqejë në moshën 39-vjeçare dhe do të rikthehet në aksion ndaj Skocisë nesër (e diel) në Ligën e Kombeve.