Nga Maringlen ZHIVANI

Tashmë është zyrtare. Burime të “Shkodra Sport” kanë mësuar se faza përgatitore e ekipit të Vllaznisë do të zhvillohet në Slloveni. Në fakt, deri para pak ditësh, opsioni kryesor ishte ai në Bullgari, por duket se kjo ka rënë poshtë tashmë.

Drejtuesit e klubit shkodran, me në krye drejtorin Vioresin Sinani, kanë qenë në Slloveni dhe kanë parë nga afër kushtet që ofronte kampingu, ku do të vendoset tashmë ekipi kuqeblu dhe kanë mbetur të kënaqur.

Për këtë arsye, është vendosur që ditën e hënë, më datë 23-qershor, ekipi të niset drejt Sllovenisë, për t’u vendosur pikërisht në Maribor, që është një nga më të njohurit në këtë vend dhe që ofron kushte të shkëlqyera stërvitje për ekipe të ndryshme futbolli. Për më tepër që në këtë kamping, vijnë për zhvillimin e fazës përgatitore edhe shumë ekipe të tjera nga mbarë bota.

Në dy javët e qëndrimit në Maribor, kuqeblutë do të zhvillojnë tre-katër ndeshje miqësore aty, teksa në ditët në vijim pritet të zbardhen edhe emrat e kundërshtarëve.

Megjithatë, e rëndësishme është që ekipi do të ketë mundësi të zhvillojë një stërvitje në kushte të shkëlqyera, e cila do ta ndihmojë atë për nisjen mbarë të sezonit të ri, duke filluar nga ndeshjet e Kupave të Europës.(www.shkodrasport.com)