Gilman Lika shikon një Vllazni fituese në sprintin final të sezonit, në finalen e sotme të Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. Në një intervistë, ai foli edhe për Kupën e fituar nga shkodranët në vitin 2008, teksa ishte një pjesë e rëndësishme e atij ekipi.

Lika u shpreh se ajo Kupë e fituar ishte diçka shumë e bukur, ndërsa theksoi se ishte një emocion i jashtëzakonshëm për të personalisht.

“Padiskutim që, Kupa e fituar nga Vllaznia në vitin 2008, ishte diçka e bukur. Ju besoj keni qenë edhe vetë prezent dhe e mbani mend se çfarë atmosfere u bë në atë moment. E mbaj mend në vitin 2008 kur fituam Kupën, Shkodra kishte 21-vite, pa fituar Kupën ekipi i Vllaznisë dhe ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Më vjen keq domethënë që kemi arritur në këtë pikë. E them në këtë pikë për arsyen, për vetë faktin ku jemi, duke parë këtë festë, këtë atmosferë që ekziston në qytetin e Shkodrës, të arrish kaq rradhë për të fituar trofe. Për këtë pjesë, më vjen shumë keq domethënë. Ky qytet meriton, që trofetë t’i ketë shumë të shpeshtë.

Tani në atë periudhë, unë isha edhe i ri në kuptimin e fjalës te mosha, sepse në atë moshë, më ishin bërë 3-4 vite që luaja rregullisht te Vllaznia, por duke parë moshën e re, duke parë atmosferën, duke parë atë entuziasmin, duke parë atë festën e madhe që u bë në Shkodër apo atë pritjen e madhe, që na u bë në Parlamentin Shqiptar nga Jozefina Topalli. Ishte diçka e jashtëzakonshme që u bë atë natë. Domethënë, m’u duk vetja sikur po jetoja tamam një ëndërr. Imagjino, në këtë qytet sikur të vinte kampionati, të vinin Kupat më shpesh, se çfarë do ishte bërë.

Goli në Kupën e vitit 2008, ishte një plus i madh për mua nga ana e karrierës, pasi më dha një hov shumë të madh, sidomos nga ana morale më rriti shumë, por ishte edhe një fat të them të drejtën, që unë isha pjesë e golashënuesve të asaj ndeshje, sepse ja kanë kaluar shumë vite dhe akoma mbahet mend goli, goli im apo goli i Sukajt.

Tani, ne jemi rritur me pasion, tamam me gjak për Vllazninë. Nuk po flas për pjesën që kam filluar të luaj futboll, por vetëm pjesën para. Ndoshta, është diçka e trashëguar edhe nga familja. Domethënë, ne e duam Vllazninë komplet si familje. Që në moshë të vogël, nuk po them pjesën që kam luajtur, por kam qenë një tifoz shumë i madh dhe mos të them që kam ndjekur Vllazninë gjithkund, si brenda, si jashtë, deri në momentin që unë kam filluar për të luajtur.

Për Vllazninë janë shumë-shumë pak Kupa të fituara. Siç e thashë edhe më përpara, ky qytet, ky emër meriton shumë më tepër dhe shpresoj që ata kohërat e këqija, nuk mund të them të këqija, por duke ditur krahasimin me emrin, duhet të prentendojmë që kanë kaluar dhe tashmë të fillojmë një cikël të ri, duke sjellë trofe sa më shumë në Shkodër dhe këtë gjë e them që nga dita e martë domethënë, të jetë ai hapi i rradhës, duke kthyer tamam emrin e madh të këtij ekipi.

Padiskutim që besoj tek fitorja dhe të them të drejtën, jam i bindur që kemi për ta fituar këtë Kupë, pasi janë bërë shumë gjëra, duke ditur dhe duke parë padrejtësitë që janë bërë gjatë këtij viti ndaj këtij ekipi, mendoj që edhe Zoti i madh ka për të qenë me ne, sepse gjithmonë ekipet që nuk luajnë ndershëm apo nuk janë të drejta, duhet ta themi me plot gojë, pavarësisht se ne nuk kemi fakte dhe nuk mundemi të akuzojmë njeri, por çfarë ka ndodhur ndeshjet e fundit, është parë qartë që çdo marrëveshje apo çfarëdo që të jetë bërë, ka qenë në dëm të Vllaznisë dhe prandaj jam besimplotë që edhe me mobilizimin e çunave, duke ditur që edhe ata kanë për të dhënë 120% në këtë ndeshje. Prandaj, jam shumë i bindur që kemi për ta fituar këtë Kupë”,-mbylli prononcimin e tij, ish-mesfushori i Vllaznisë, Gilman Lika. /Maringlen ZHIVANI/