Argjentina e filloi përsëri nga ajo që bën më së miri: duke fituar. Pasi fitoi Kupën e Amerikës jo më vonë se një muaj e gjysmë më parë, kombëtarja bardhekaltër luajti ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2026 kundër Kilit, duke triumfuar pastër 3-0.

Ndeshja u vendos nga tre golat e shënuar në pjesën e dytë prej Alexis Mac Allister, i cili doli nga ngërçi në minutën e 48-të, nga sulmuesi i ri i Atletico Madridit, Julian Alvarez, i cili dyfishoi epërsinë në minutën e 84-të, dhe nga Paulo Dybala (në fushë me 10 mbi shpinë, në mungesë të Messit), i “vulosi” gjithçka në fund.

Përveç “Joya”, “italianët” e Albiceleste që dolën në fushë nga minuta e parë ishin Nico Gonzalez dhe Lautaro Martinez. Megjithatë, anësori i Juventusit është dashur të largohet nga fusha 5 minuta pas rifillimit të pjesës së dytë për shkak të një problemi të mundshëm muskulor. Vlen të përmendet edhe debutimi absolut me “Seleccion” i Taty Castellanos, i cili hyri në lojë në minutën e 89-të në vend të Alvarez.

Në veçanti, për Lautaro Martinez, 79 minuta në fushë (i zëvendësuar më vonë nga Garnacho), nuk pati gol, por lojë e nivelit të lartë, duke përfshirë asistin për Mac Allister me rastin e golit të parë. Sulmuesi i Interit, i intervistuar nga “TNT Sports”, komentoi edhe kandidaturën e tij për “Topin e Artë”:

“Për sezonin që kam pasur, mendoj se e meritoj të jem këtu ku jam. Kam punuar shumë dhe gjithashtu kam vuajtur shumë në vitet e kaluara, është hera e dytë që përfshihem në fazën finale të ‘Topit të Artë’. Mendoj se kam atë që duhet për të qenë atje”.