Ish- futbollisti i Vllaznisë Lulzim Bërsheni është i mendimit se kuqeblutë duhet ta kalojnë me çdo kusht turin e parë të Kupave të Europës se nëse nuk ndodh kështu, do të ishte një dështim për ta. Një gjë të tillë e ka shprehur në një prononcim të dhënë për gazetën ‘Panorama Sport”.
Ish-fantazisti i Vllaznisë ka komentuar ecurinë dhe përgatitjet e shkodranëve deri me tani. Në fjalët e tij, Bërsheni thekson se vetëm titulli është ai që kënaq në Shkodër.
Nga larg, por gjithmonë me Vllazninë në zemër, si i shikon Bërsheni kuqeblutë?
Aq sa kam arritur të shoh nëpërmjet rrjeteve sociale apo edhe lajmeve që kemi nga miq në Shkodër, kam parë që ekipi është në ndërtim. Skuadra po merr formën e duhur dalëngadalë dhe tashmë ritmi i stërvitjeve shtohet. Ekipi e merr formën që nga ky moment për kampionatin e ardhshëm që nis në gusht. Tashmë vetëm me kalimin e kohës mund të mësojmë më shumë për skuadrën dhe formën e saj.
Turi i parë i Conference League, një “detyrim” për t’u kaluar nga Vllaznia?
Kundërshtari më duket shumë i kalueshëm, ekipet letoneze besoj se janë modeste dhe Vllaznia duhet ta pretendojë medoemos kalimin më tej. Besoj se shanset janë më se reale për të kaluar në turin tjetër dhe kjo do sillte edhe përfitime ekonomike për klubin.