Përplasja mes Kilië Mbape dhe PSG-në ka shënuar një kapitull të ri. Ashtu siç kishte premtuar mamaja e tij, Fajza Lamari, ata nuk kanë ndër mend t’i falin asnjë qindarkë ish-klubit të sulmuesit, Paris SG.

Dy muaj më parë, avokatët e lojtarit pretenduan nga klubi parizien një sërë shumash financiare që nuk i kishte mbledhur dhe që sipas futbollistit i përkasin atij. Sipas “Le Monde”, lojtari aktual i Realit të Madridit ka hedhur një hap më tej dhe ka kontaktuar komisionin ligjor të Ligës Franceze dhe UEFA-s, përmes Federatës Franceze të Futbollit për të kërkuar afro 55 milionë euro.

Shuma e kërkuar nga Mbape përfshin një të tretën e fundit të një bonusi nënshkrimi (36 milionë euro bruto) që lojtari duhej të merrte në shkurt; tre muajt e fundit të pagës të parashikuar në kontratën e tij (prill, maj dhe qershor), si dhe një “bonus etik” edhe gjatë këtyre tre muajve. Avokatët e lojtarit ia kanë komunikuar situatën PSG-së në mesin e qershorit, por ata kanë vendosur të bëjnë një hap më tej për të bërë të efektshme pagesat nga “Qatar Sports Investment”, aksioneri kryesor i klubit francez.

REALI I MADRIDIT – Ndërsa përfaqësuesit e tij ligjor vazhdojnë punën për “grumbullimin” e parave nga PSG-ja, vetë Mbape është tërësisht i përqendruar te Reali i Madridit. Së fundmi, numri nëntë i Realit ka komentuar barazimin 1-1 përballë Majorkës, duke premtuar kthesën këtë fundjavë në “Bernabeu”.

“Barazimi në Majorka ishte zhgënjyer. Nuk luajtëm mirë, por jam i bindur se do të reagojmë fort në takimin e radhës në fushën tonë. E dimë se çfarë mundësish kemi, çfarë kapacitetesh kemi. Shpresojmë që para publikut në Madrid të bëjmë një paraqitje krejt ndryshe”, komentoi Mbape në profilin e tij në rrjetet sociale.