Kilië Mbape kërcënon Italinë dhe Xhanluixhi Donarumën. Kapiteni i Francës thotë se tani nuk e ka më hundën e thyer dhe sigurisht që do të kërkojë të harrojë Europianin zhgënjyer që bëri ai dhe e gjithë kombëtarja. Rikthehet në Paris, por tashmë si lojtar i Realit të Madridit.

REALI- “Jam shumë i lumtur. Po shkon gjithçka mirë dhe sapo kemi fituar një trofe. Gjithmonë e në përmirësim jemi. Kam shënuar disa gola. Po rikthehem në kombëtare me të njëjtën energji”.

PARIS- “Nuk jam larguar prej shumë kohësh. Por të luash me kombëtaren është gjithmonë kënaqësi”.

POZICIONI- “Nuk e kam më hundën e thyer dhe tani sigurisht që mund të bëj më mirë. Sa i përket rolit tim, unë mund t’i bëj të tre. Nuk ndryshon asgjë. Kam bërë mirë në tre rolet dhe e vendos trajneri. Fizikisht dhe mendërisht jam mirë”.

EUROPIANI- “E kemi lënë pas shpatullave dhe duhet të shohim vetëm përpara. Ishte një zhgënjim i madh dhe u trishtuam shumë. Por kam ndryshuar menjëherë diçka në mendjen time”.

KRITIKAT- “Nuk e di çfarë mendojnë njerëzit. Unë nuk dua të bëhem më diskutim. Kam ardhur këtu për të dhënë më të mirën. Do të kërkojmë të japim maksimumin. Nuk mund të kënaq të gjithë botën. Gjithmonë ka diskutime”.

ITALIA- “Do të flas me Donarumën. Ashtu si ne, edhe ata nuk bënë mirë në Europian. Por gjithmonë një Francë-Itali është një ndeshje e bukur. Duhet të përgatitemi sepse do të vijnë të karikuar në maksimum”.

PSG- “Kam kujtime të bukura në atë skuadër dhe dua të mendoj vetëm ato. Nuk flas për çështje të tjera”.