Skuadra e Vorës është përqendruar në përgatitjet për ndeshjen e parë të kampionatit kundër Apolonisë. Skuadra e Vorës ka kryer një merkato të mrekullueshme. Një nga afrimet më të bujshme është edhe ajo e qendërmbrojtësit elbasanas, 27-vjeçari Dajan Shehi.
Ky i fundit, së bashku me titullarin tjetër Eni Imami do të plotësojnë qendrën e mbrojtjes.
Keni ardhur te Vora pas një eksperience në kampionatin kosovar…
Luajta vjet me ekipin e Gjilanit dhe jam i kënaqur me eksperiencën time në kampionatin kosovar, arritëm objektivat e klubit. Normalisht që për mua ishte një eksperiencë e re, që do më shërbejë shumë për të ardhmen time. Në radhë të parë ishin objektivat madhore që ka klubi i Vorës dhe presidenti, për ta ngjitur skuadrën në Superiore. Sigurisht që edhe dëshira ime përputhet, pasi shoh një klub serioz.
Si ndiheni te Vora?
Ndihem shumë mirë. Është një klub me synime të qarta dhe shpresojmë që këtë vit të futemi në Superiore. Shpresoj ta ndihmoj ekipin me eksperiencën time. Kemi luajtur edhe me ekipe të tjera bashku, si Ruci, Lika, Imami dhe Vrapi.
Duke ditur se Vora ka synim të ngjitet në Superiore, e besoni se me këtë grup lojtarësh mund ta arrijë këtë objektiv?
Besoj se kemi bërë ekip shumë të mirë me lojtarë të rinj dhe me eksperiencë. Këtë e kanë treguar edhe ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar e të gjitha kanë qenë me rezultate pozitive. Shpresojmë që ta nisim mbarë që në ndeshjen e parë dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një të gjitha. Për Apoloninë, di të them vetëm që lojtarët e saj kanë vite që luajnë së bashku me njeri-tjetrin dhe kjo tregon se konsolidimi i tyre është i plotë, pra janë një ekip i mirë.
Çfarë synon Dajani gjatë këtij sezoni te Vora?
Objektivi i Dajanit te Vora, është që të ndihmoj ekipin dhe të jap kontributin maksimal ndeshje për ndeshje, që të realizojmë objektivat e klubit. Shpresoj që të jetë një garë e bukur dhe e drejtë deri në fund.