Dita e sotme duhej të ishte ditë feste për të, familjen, miqtë dhe shokët e tij. Medin Zhega, futbollisti i madh i Vllaznisë, Dinamos dhe kombëtares shqiptare do të festonte 73 vjetorin e lindjes nëse do të ishte gjallë, por për fat prej gati shtatë vitesh na mungon.

Ai është një vlerë e madhe e futbollit shkodran dhe jo më kot ky qytet është krenuar shumë me të, ashtu si me Rragamin, Bizin, Ndojën etj.

Medin Zhega lindi në Shkodër më 31 janar 1946. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes, e më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Kimi-Mercologji. Kreu studimet e larta edhe në Intitutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” (sot Akademia e Sporteve).

Në periudhën 1963–1979, luajti futboll me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ishte anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Në vitin 1981 mbaroi shkollën e trajnerëve në Austri. Kreu gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit.

Në vitet 1984-1986 punoi si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar dhe atij olimpik. Në vitet 1992-1996 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ishte trajner i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Nën drejtimin e Mjeshtrit Zhega, skuadra ynë Kombëtare, në vitin 2001, fitoi turneun “Rothmans” në Maltë.

Fitoi titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Pasi u shkarkua nga detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, post që e mbajti deri në vitin 2001, ai u emërua anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përsëri, këtë post e mbajti deri në vitin 2010. Në vitin 2009, gjatë transmetimit të spektaklit për nder të 90-të vjetorit të themelimit të klubit shumësportesh “Vllaznia”, ai nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Shkodrës.

Më 5 maj 2011, gjatë një udhëtimi familjar dhe qëndrimi në Toronto të Kanada-së, ai pësoi një aksident i cili fatkeqsisht e dënoi që të mbeste paraplegjik për 13 muaj e 1 javë. Ai vdiq në Tiranë më 12 qershor 2012, në orë 14:00. Më 14 qershor, nën përkujdesjen e “Federatës Shqiptare të Futbollit” u organizuan homazhe në Pallatin e Kongreseve. Ai u varros në varrezat e “Sharrës” po në të njëjtën ditë.

Karriera
Zhega, i datëlindjes 1946, me një nisje sportive në Shkodër, vijuar me Dinamon dhe kthimi pasi përfundoi studimet. Ndonëse klubi kryeqytetas tentoi ta mbante, ishte dëshira e tij dhe kërkesa e popullit sportiv të Shkodrës që e detyroi Ministrinë e Brendshme ta kthente pa hezitim.

Me Dinamon e Jarecit, Çeços, Dautit, Hysit, etj, e lidh një pjesë e rëndësishme e karrierës së shkëlqyer të tij si futbollist, golashënues, titullar, madje edhe lojtar i Kombëtares në ato vite kur edhe Zhega është protagonist absolut, si dhe një titull kampion në tavolinë pas përjashtimit të 17 Nëntorit (1967).

Por, shumë më e madhe, më e famshme e pasur me trofe e kupa është pjesa e dytë e karrierës, ajo shkodrane. Në Shkodër e pritën me shumë entuziazëm, dashuri e simpati, gjithmonë i duartrokitur.

Ndërsa ishte punonjës në Drejtorinë e Veshmbathjeve në NTUS-in e qytetit si merceolog, edhe në fushë ishte një futbollist model, shënues e protagonist në dhjetëvjeçarin e paharruar ’70-’80, ku arrin dhe kulmin e karrierës, gjithmonë me numrin 10 në fanellë.

Luante me të dyja këmbët, nuhatës, lojtar zone dhe shënues i gjithanshëm, edhe pse mbulohej nga mbrojtësit më të mirë të kohës: me kokë, këmbë, në ajër, në dyluftim, driblues dhe njohës perfekt i portës kundërshtare.

Autor i golave me vlerë historike
Si goleador i shquar te Dinamo, Vllaznia, disa prej tyre spektakolarë krejtësisht në repertorin universal të tij janë shumë, por ato “të mëdhatë” që ka realizuar me klube janë dy: kundër Ajaksit, ndonëse luan me Vllazninë, merret si përforcim nga 17 Nëntori për sfidën e shtatorit të 1970 për Kupën e Kampioneve, zhvilluar në “Qemal Stafa”.

Dhe nuk ka zhgënjyer, duke shënuar golin e barazimit në fundlojë, atë 2-2 ndaj kolosëve te ardhshëm të futbollit botëror që udhëhiqnin ndeshjen me shifrat 2-0. Ndërsa goli tjetër, po në Kupën e Kampioneve, këtë herë ndaj një skuadre me famë, e lojtarë kalibri si Austria e Vjenës në përbërje me shumë titullarë të botërorit argjentinas.

2-0 në ndeshjen e parë në “Vojo Kushi” në shtatorin e ’78-ës dhe triumfi ka firmën e Ballgjnit e Medin Zhegës, tashmë në kufijtë e maturimit, por edhe në limitet e sakrificat e fundit të karrierës, pasi është 32 vjeç.

Dëmtimi dhe rikuperimi që habiti mjekësinë
Sapo kthehet te Vllaznia, pëson një dëmtim shumë të rëndë. Madje, në kampionatin e parë, kur janë të tre në formacion dhe skuadra përgatitet për një sezon gjigant, do të mungojë në pjesën e dytë të tij. Pikërisht në fund të vitit 1971, ndërsa është në formë, realizon gola decizivë, vjen dëmtimi i papritur, shumë serioz.

Dërgohet në Rumani, ku qëndron gjashtë muaj. Ndërsa mjekët pasi kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale i kanë prerë shpresat, për Zhegën rikuperimi do të jetë tejet i vështirë, por jo i pamundur. Falë vullnetit të tij, rikthehet autoritar dhe protagonist në fushë deri në ditën që e mbylli karrierën. Një kapiten i vërtetë, gjithmonë në krye të sulmit, deri kur u shkëput nga futbolli aktiv.
Një ndëshkim i papritur

Është e pabesueshme nëse i rikthehesh sot Medin Zhegës dhe tronditesh kur mendon se ai nuk jeton më. Ishte një ndarje e papritur, madje e pabesueshme, për forcën, dëshirën dhe aktivitetin fizik që ushtronte.

Gjithçka ndodhi në Kanada, ku ishte për një vizitë, por që fatkeqësisht do të rikthehej në Shqipëri, në kushte shëndetësore, që për atë e familjen do të ishin më shumë se një vuajtje pa fund deri në frymën e fundit të tij, në momentin më kulmor të jetës. I martuar me dhe me dy fëmijë, diplomuar në Fakultetin Ekonomik, me profesionin merceolog, Zhega ishte një intelektual i vërtetë i futbollit shqiptar.

I shkolluar, trajner i kualifikuar, shumë komunikues, njohës i disa gjuhëve të huaja, me një kulturë të gjerë, tejet i përgatitur, mjeshtër në lojë e në jetë, Zhega la pas gruan dhe dy fëmijët, Beneti e Kreshniku. Madje, ky i fundit luajti për disa vite, por pa mundur ishte një Zhegë i dytë.
© shkodrasport.com