Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia duket në një “ngërç” sa u përket afrimeve, pasi deri më tani kuqeblutë nuk kanë arritur të mbyllin me sukses asnjë operacion tjetër transferimi, përveç Arsid Krujës. Ndërkohë që, janë zyrtarizuar dy largime, si Stojanoviç dhe Deliu. Kuqeblutë janë në lëvizje për afrimet e disa futbollistëve, teksa “Shkodra Sport” mëson se një prej tyre është edhe Arbin Zejnullai, një nga mesfushorët më të mirë të Superiores në sezonet e fundit. #

26-vjeçari ka mbyllur kontratën me Egnatian dhe rinovimi me rrogozhinasit nuk u bë për arsye ekonomike. Në këtë situatë, drejtuesit e Vllaznisë kanë ndërhyrë dhe kanë takuar palën e futbollistit për të diskutuar një bashkëpunim të mundshëm. Bisedimet deri më tani kanë qenë të vazhdueshme, por ende futbollisti nuk ka kthyer një përgjigje, ndoshta i tunduar edhe nga ofertat e tjera që mund t’i vijnë përreth.

Në ditët në vijim, është caktuar edhe një takim i fundit, ç’ka do të vendosë pikat mbi “i”. Fakti është që pala e Vllaznisë ka dëshirë për të bashkëpunuar me Zejnullain. Në fakt, ai është një nga futbollistët më të mirë të kampionatit tonë, ç’ka nuk do mend se në lëvizje për Zejnullain janë edhe klube të tjera me pretendime të Superiores, si Dinamo, Partizani apo edhe Tirana.

Prania e një futbollisti me cilësitë e Zejnullait është më shumë se nevojë te Vllaznia, është detyrim. Zejnullai është fitues i pesë trofeve me Egnatian dhe tetovari ka gjithë bagazhin dhe cilësinë e nevojshme për ta bërë mesfushën kuqeblu një nga më të mirat. Tashmë, mbetet të shihet sesi do të vijojnë ngjarjet, me Vllazninë që ka edhe pista të tjera të hapura për afrime.(www.shkodrasport.com)