Opinion nga RAMADAN BIGZA

Senteca e njohur se”po nuk njohe te shkuarën, nuk ndërton dot të ardhmen”, ka ardhur në ditët tona, jo vetëm për të na e kujtuar si thënie të mënçur por si një dëshmi të një realiteti, që fatkeqësisht po e përjetojmë përditë e më shumë.

Kohët e fundit gazeta Sport Plus dhe presidenti i saj Muhamet Malo organizuan një event të mrekullueshëm sportiv. Fjala është për elitarët e sportit. Ishte një event, që kishte mbledhur ikonat e sportit shqiptar. Brenda asaj salle të mbushur me yje ishte vërtetë historia e sportit tonë. Ishte e kaluara dhe e sotmja.Ishin sukseset, medaljet, mjeshtria. Asnjëherë nuk ishin mbledhur bashkë aq shumë elitarë. Por çuditërisht edhe pse i ndërtuar në mënyrë të përkryer , edhe pse përcillte një mesazh të qartë krenarie, ai kaloj pa u ndjerë, kaloj pa atë jehonën e jashtëzakonëshme që i duhej bërë si i vetmi eveniment i përmasave të tilla.
Sporti ynë dhe sportistët tanë kanë më shumë se kurrë nevojë për tu njohur me këtë histori të pasur, që është frymëzuese për brezat e rinj, për tu kujtuar atyre pikërisht atë sentencën e njohur , që e thamë në hyrje të këtij se ”po nuk njohe te shkuarën, nuk ndërton dot të ardhmen”.
Ishte një mësim për ne gazetarët në radhë të parë. Detyra e një gazetari sportiv nuk është thjeshtë mbajtja e një informacioni për ndeshjet, pra për minutat, rastet, golat, penalltitë etj. Sigurisht që edhe këto duhen. Gazetaria është një art më vehte. E një prej atyre “artistëve” të mëdhenj të gazetarisë sportive ishte padyshim Anton Mazrreku, figurën e të cilit e solli për të pranishmit dhe telespektatorët një tjetër ikonë e gazetarisë sportive Besnik Dizdari. Gazetar i njohur, radiokronist i famshëm, erudit për nga kultura e gjerë, model i një intelektuali të kohës, Anton Mazrreku ishte dhe mbetet mësimi i duhur për brezat e gazetarisë sportive. Me ato çfarë dëgjoj e lexoj pak kush i ka hyrë analeve të këtij profesioni të servirur mjeshtërisht nga Mazreku i madh.
Në atë takim të paharruar e mori fjalën edhe Agim Fagu padyshim një ndër ikonat e sportit tonë. Ai në këtë mbrëmje u nderua me çmimin “sportisti më i mirë i vendit”. Mjeshtri i madh i basketbollit tonë, tregoj diçka, që lidhet pikërisht me temën tonë, mosnjohjen. Midis të tjerave ai tha përafërsisht kështu:” Sa herë që dal nga kodrat e liqenit për të vrapuar, shikoj edhe këtë vajzën , fjalën e kishte për Luiza Gegën, atleten tonë më të mirë të viteve të fundit, por ajo nuk më flet. Besoj se tani e tutje do të më flasë”. Sigurisht që një figurë e madhe si Agim Fagu nuk ka nevojë ti flasë kush, madje dikur në Tiranë ai ishte një personalitet në kufijtë e të paarritshmit. Në fakt kështu është edhe tani.Mosnjohja ndaj kësaj figure të madhe flet qartë se as njerëzit tanë të sportit nuk e njohin historinë e tyre, nuk njohin emrat e mëdhenj që shkruan historinë më të bukur të sportit tonë. E pra kjo është fatkeqësi e madhe.Brezat tonë nuk mund të rriten pa njohur rrugën nga kanë ardhur. Ata duhet ta kenë të qartë se po nuk u respektua e kaluara, e ardhmja do të jetë shumë më e vështirë. Mesaduket këtë mosnjohje shfrytëzojnë edhe disa të huaj, të cilët e kanë më të lehtë për të treguar superioritetin e tyre, i cili në shumë raste është krejtësisht artificial. Por duke parë edhe një farë inferioriteti ata e shfrytëzojnë pozicionin e tyre për të treguar epërsinë e vendit nga vijnë.Shembulli më i qartë ishte ai i ditëve të fundit tek Vllaznia, ku përpjekjes së drejtuesve të bordit për të caktuar zëvendëstrajner të ekipit një futbollist të njohur të Vllaznisë sic është Vioresin Sinani, italiani Baldo Rajneri, që nuk i dihej adresa prej nga kishte ardhur, bëri pyetjen: “Kush është ky Sinani”?.
Ka qenë viti 2005 kur në stadiumin “Jorgo Karaiskaqi” kombëtarja jonë luante përballë përfaqësueses greke. Ndeshja filloj vonë, shto këtu edhe konferencat për shtyp që dhanë trajnerët Rehagel dhe Brigel, te cilet te kujtonin inatin mes shqiptaresh sepse nuk flitnin me njeri tjetrin,shkoj vone dhe nisi të gdhihej e nesërmja. Me mua ishte edhe një ish futbollist i njohur i kombëtares sonë. E vetmja mundësi e tij për të shkuar në hotel ishte autobuzi i kombëtares por Brigel nuk e lejoj edhe pse ai ishte një emër i njohur dhe qe i vetmi, që ishte si të thuash në një “hall” të tillë.
Nuk them se gjithmonë ndodh kështu por në pjesën dërmuese të rasteve , po. Dua të tregoj një shembull krejtësisht të ndryshëm nga këto që tregova deri tani, një shembull që ka të bëjë me njohjen, vlerësimin dhe aspak nënvlerësimin. Vite më parë Agi Babuli luante me ekipin kampion të Greqisë në volejboll, Panathiniakosin. Kur një gazetar grek e pyeti se si e ndjente veten te ky klub, ajo iu përgjigj me krenari. “ Te Panathinaikosi ?”. “Unë vij nga Dinamo e Tiranës”:
Disa vite më parë po pinim një kafe në Athinë me portierin kosovar Arjan Beqaj. Ndërkohë pas shpinës sime kalon një nga sportistët tanë më të njohur. Arjani, që e kishte përballë, e shikon mirë dhe më thotë. “Po kalon ai sportisti, që ka dalë kampion bote. A ta ftojmë për kafe?”. Kthej kokën menjëherë dhe dalloj se personi në fjalë ishte Luan Shabani. E thërrasim dhe ai vjen me shumë kënaqësi. Aty Arjani mësoi për Luanin dhe Luani mësoi për Arjanin.
Mosnjohja është mosrespekt, është mosdije.Ndoshta kjo lidhet edhe me mungesen e muzeumeve sportive, një traditë që nisi vite më parë por që thuajse është harruar.Ishte një brez njerëzish të pasionuar, që gjithçka e bënin falë dijeve për sportin, kulturës që i karakteirzonte dhe dëshirës për tua transmetuar brezave një histori, që ka ardhur në ditët tona përmes sukseseve por dhe dështimeve sigurisht. Enver Bushati, Rifat Uruçi etj, ishin nismëtarë të krijimit të disa muzeumeve por puna e bërë u shua pa u ndezur ende.Tashmë muzetë sportivë janë një fjalë e harruar, aq sa shumëkush i kujton si ngjarje të një kohe të shkuar. E pra mungesa e tyre ka lenë një boshllëk të madh, ka lënë ate qe ne po e qujme, mosnjohje. Mu bë qejfi kur një ditë pashë në rrjetin social Facebook një koleg tonin me kupën e parë të Tiranës së fituar në vitin 1930. E pra është më shumë se gjynaf sic thotë populli, që trofe të tillë apo histori të tilla suksesi të mos jenë pjesë e muzeumeve, jo vetëm si relike të çmuara por si gjëra me vlerë, që duhen njohur e studiuar. Po flas sërish për gazetarët sepse janë ata që nxisin, shkruajnë, përdorin fakte, foto etj. Nuk e di se si do ta ndjejë veten sejcili nëse nuk merret me këtë histori. Nese nuk lexon shkrimet e Anton Mazrrekut, nëse nuk njihet me protagonistët e sportit ndër vite, nëse nuk meson se si punonte fjala vjen Qazim Dervishi, Paloke Nika, Feti Dizdari, Loro Boriçi, Myslym Alla, Xhevdet Shaqiri, Vangjel Koja, Esat Haxhi Kreshnik Tartari,Astrit Greva, Feti Borova, Pandi Gëllçi, Piro Kasati, Petrit Murzaku, Petrit Stefa, Bujar Shehu etj, etj Nuk e di si do ta ndjente veten ai gazetar, që nuk njeh sadopak emrat e mëdhenj të trajnerëve të njohur të shumë viteve më parë si Xhavit Demneri, Xhelal Juka, Shefçet Lamçja, Ernest Halepian etj, që falë pasionit të tyre prodhuan me dhjetëra talentë futbolli.
Nuk e di si do ta ndjenin veten ata sportistë, që nuk njohin kolosë të tillë si Panajot Pano, Medin Zhega, Agim Fagu, Renato Radoja, Asllan Rusi,Ela Tase, Agim Tafili, Tamara Nikolla, Pavlina Evro, Adile Dani , Klodiana Shala, Vera Bregu, Iljaz Guri, Mexhid Haxhiu., Sabah Bizi, Sefedin Braho,Rudi Vata, Sokol Kushta, Alban Bushi, Igli Tare, Erjon Bogdani, Altin Lala, Ali Kastrati, Ymer Pampuri, Faruk Kalleshi, Aleksander Kondo etj.
Muzetë sportivë duhet të ngrihen kudo. Ato janë shkolla më e mirë për të njohur historitë tona sportive, historitë e klubeve tona, që tashmë po bëhen shekullorë.Historitë e sportistëve tanë të mrekullueshëm, që në kushte tejet të vështira u bënë gëzimi ynë i madh, u bënë krenaria jonë.
Duke u kthyer tek titulli i këtij shkrimi, them se po të ketë një njohje të mirë të realitetit nuk ka pse të jemi inferiorë ndaj të huajve ndërkohë që të huajt po të mësojnë më shumë historinë tonë,nuk mund të bëjnë pyetje të tilla si fjala vjen vjen:” Kush është ky”!.