Ylber Ramadani kërkohet nga Al-Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mesfushori i Kombëtares nuk është bindur nga oferta, siç tregojnë në Itali, për shkak se më pas do të diskutohej vendi i tij në përfaqësuesen kuqezi.

“Pianetalecce” tregon se Al-Ain është i gatshëm të ofrojë 1 milionë e 200 mijë euro pagë për Ramadanin. Në anën tjetër duhet të plotësojë edhe kërkesat e Leçes, klub me të cilin 29-vjeçari ka dhe një sezon kontratë.

Ramadani nuk ka kaluar sezon të mirë, pasi ka humbur vendin e titullarit te Leçe. Klubi italian ia doli të sigurojë mbijetesën në Seria ndërkohë, ndërsa përmes shitjes së Ramadanit do të fitonte të ardhura të konsiderueshme.

Shifrat e përfolura shkojnë deri në 10 milionë euro. Al-Ain kërkon të ketë një skuadër sa më konkurruese për të ardhmen dhe gjithçka mbetet e hapur për transferimin e Ramadanit.