Një sukses i jashtëzakonshëm. 500 mijë klikime në vetëm një vit të gazetën online www.shkodrasport.com. Ne po e quajmë REKORD! Në fakt i tillë është sepse të kesh gjysmë milioni klikime në vetëm një vit, është diçka e veçantë për median online. Kjo vjen në një kohë kur media e shkruar ka hyrë në një krizë të thellë, ndoshta edhe për shkak të ecjes përpara çdo ditë e më tepër të medias online. Gazeta online shkodrasport.com, është krijuar në fund të shtatorit të vitit 2011. Pak ditë më parë ka mbushur 1 vit nga ekzistenca e saj dhe sonte bëhen plot 500 mijë klikime. Një emocion i veçantë për mua si themelues dhe drejtues i kësaj medie, për bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, webmasterin Terenc Pepa dhe fotografin Gjon Gjeka që i kam patur gjithnjë pranë.


Një falenderim për Mejdan Zhivanin, Senad Nikshiqin, Admir Uruçin e Anton Zallin, gazetarët shkodranë që kanë qenë pjesë e vazhdueshme e kësaj gazete, por nuk do harroja edhe miq të tjerë si Ramadan Bigza, Eduard Ilnica etj, që më kanë mbështetur. Pa lënë mënjanë edhe disa sportdashës “të thekur” si Blendi Dibra, Luan Shpuza, Roland Çomo, Redan Bushati etj, të cilët me opinionet dhe diskutimet e tyre të shpeshta kanë ngjallur jo pak interes për shkrimet e kësaj gazete. Prandaj dhe sonte festojmë 500 mijë klikimet e arritura brenda vetëm një viti. Gjatë këtij viti jemi munduar të jemi pranë sportdashësve shkodranë kryesisht me lajmet më të fundit për të gjitha llojet e sportit. Jemi munduar të mos lëmë pas fotografinë, që është një element i rëndësishëm i gazetarisë sportive, ndërkohë që vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe historisë së sportit shkodran. Në këto momente sigurisht që ndjehemi të lumtur për atë çfarë kemi arritur por 500 mijë klikimet e sotme, na shtyjnë të bëjmë gjëra të mira edhe në të ardhmen. Ne, ndjehemi krenarë që gazeta online shkodrasport.com është bërë një faktor i rëndësishëm në sportin shkodran. Shumë drejtues sporti, trajnerë dhe sportistë, zgjedhin shkodrasport.com për t’u informuar dhe kjo është e rëndësishme për ne. Pikërisht këtë gjë kemi tentuar që në fillim. Sonte është festë megjithatë ajo çfarë ju premtojmë është saktësi dhe korrektësi maksimale në gjithë ato çfarë do shkruajmë. Megjithatë nuk është koha për të premtuar shumë gjëra. Sonte kemi festën e 500 mijë klikimeve dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u themi të gjithë miqve tanë FALEMINDERIT!
Gjergj KOLA