Nesër do të luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të “Final 4” për vajza, ku do të përcaktohet finalja e madhe e sezonit. Gramshi – Partizani do të zhvillohen në orën 15:00, ndërsa Vllaznia – Apolonia në orën 17:00. Dy përballje me rëndësi të madhe, pasi skuadrat që sigurojnë finalen do të marrin pjesë në garat europiane.
Ndeshja Gramshi – Partizani do të luhet në stadiumin e Vorës, aty ku vajzat gramshiote do të kërkojnë përmbysjen pas humbjes 1-0 në sfidën e parë. Nga ana tjetër, Partizani do të synojë një tjetër rezultat historik për të siguruar finalen e madhe të “Final 4”.
Takimi tjetër, Vllaznia – Apolonia, do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, gjithçka mbetet e hapur. Kampionet në fuqi kanë avantazhin e faktorit fushë në këtë sfidë vendimtare.
Skuadra shkodrane sigurisht që pritet të ketë edhe mbeshtetjen e tifozeve te saj te cilet ne fakt nuk e kane braktisur asnjehere dhe keshtu pritet te ndodhe edhe neser ne sfiden ndaj ekipit fierak.
Kuptohet që Vllaznia do ta marrë shumë seriozisht këtë përballje, ndryshe nga ajo e para tre ditëve në Fier dhe kuptohet që nuk do t’i japë kënaqësinë kundërshtarit që të shkojë në finale. Vajzat kuqeblu padyshim që do të kërkojnë fitoren dhe kalimin në finale fillimisht dhe më pas edhe fitimin e titullit kampion që do të ishte i 12-ti rradhazi për ta.