Nga Besnik DIZDARI

Më vjen mirë që botimi i dy shkrimeve rreth Kolonelit Dayrell Oakley –Hill dhe kujtimeve të tij të shkurtëra edhe për sportin shqiptar të viteve ’30 prej librit “An Englishman in Albania” (“Një anglez në Shqipëri”), të paktën ka ngjallë kërshëri te disa njerëz të cilët kanë një kuptim atdhetar dhe dituror për sportet në Shqipëri. Këtë e përjetova nga bisedat me disa prej tyre. Natyrisht ata janë pak, sepse kësisoj atdhetarësh e njerëz të kulturës nuk ka shumë në Shqipëri. Kështu, ata më nxitën t’i kthehem edhe një herë Kolonelit me këte Post scriptum.

Në të vërtetë, ajo që më shtyn t’i rikthehem është shqetësimi për historinë e sporteve tek ne, e cila megjithë librat, botimet e shkrimet e mia, dhe jo vetëm të mijat, ende mbetet e ndarë dysh. Dhe për të keq. Mohohet ende ajo çka është krijuar sidomos gjatë vietve ‘20-’30, dhe ngrihet në qiell sidomos ajo çka është krijuar pas 1944-trës. Kur e para është themelim në tokë djerrë dhe e dyta është vazhdim me zhvillim të vrullshëm. Me një fjalë, ngjet ashtu si me krejt historinë tonë, të cilën disa njerëz, një pjesë e të cilëve vijnë jo nga pjesa me të kaluar liberale, por konservatore komuniste në pushtet të atëhershëm, vetëm mohojnë të kaluarën e parë, duke u bërë protagonistë të mashtrimit, rrenës, fshehjes së historisë. Por të kthehemi te sporti.

1. Kohë më parë nga sektori i jashtëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, më është kërkuar ndihma për të përcaktuar qysh nga 1932-shi se cilët kanë qenë sekretarët e përgjithshëm dhe presidentët e Federatës Shqiptare të Futbolli-t, gjë që e kërkonte FIFA për historinë e shteteve anëtare të saj. Nuk ka qenë e mundur të marrë përgjigje kjo pyetje. Dhe kjo për shumë arsye. Mungesës së kulturës së mirëfilltë tonën, shkatërrimin më 1945 të gjithë asaj çka u ndërtua para saj, mbi të gjitha mënjanimi, persekutimi, largimi i shumë prej protagonistëve të sportit të Mbretërisë si reaksionarë, bejlerë e agallarë, shërbëtorë të Hillit e Rattit; dhe prej kësaj është mbërritur me lehtësi te mungesa e vlerësimit të historisë së sporteve në Shqipëri, si pjesë e historisë kombëtare.

Mirëpo, ja kur vjen një çast, dhe ti përpara faktesh më të hollësishme, papritmas “zbulon” se Koloneli Dayrell Oakley –Hill, në të vërtetë është i pari sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, siç ta kërkon dhe FIFA. Koloneli “ynë” që e nisi këtë histori si gjyqtar i futbollit, madje duhet pranuar se është ndër të parët, për të mos thënë i pari, në ndeshjet e shumta ndërqytetëse qysh më 1929, pra pa nisur Kampionati i Parë Kombëtar (1930) dhe i cili – ai pason me Salvattore Bernardon, Eqrem Stërmasin, Pelagattin, Hajdar Jakupin, Ndoc Gerën, Niko Gurashin apo Kristaq Stratin – si anëtar i Komitetit Teknik Arbitral Shqiptar qysh në themelim, më 1932, vit i pranimit të Shqipërisë në FIFA, është pikërisht dhe organizuesi teknik, ekzekutiv i FSHF-së, padyshim një lloj sekretari i sipërpërmendur. Si për këtë, më 15 janar 1936 ai zgjidhet tashmë kryetar i Komitetit Teknik Arbitral Shqiptar, detyrë të cilën e mban deri ditën e largimit të tij nga Shqipëria në fund të vitit 1938. Dhe siç e kam shkruar në “TemA”, nëse sot Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që nuk ka arritur të përcaktojë historikisht se cili qe presidenti dhe sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit në këtë periudhë themeluese, jemi të detyruar të mbërrijmë në këtë përcaktim: këto role i ka kryer përpara të gjithëve Koloneli britanik, organizatori i shquar i xharndarmërisë shqiptare, Oakley Hill. Natyrisht, pa harruar se nga ana shtetërore është i gjithanshmi Luigj Shala, figurë Nr. 1 e sportit shqiptar të periudhës së Mbretërisë, si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës “Vllaznija Shqiptare” (një homolog i KOKSH të sotëm) në Ministrinë e Arsimit, kur kryetar është vetë ministri, Dr. Mirash Ivanaj. Pa harruar ndërkaq, figura të tilla ende të panderuara nga sporti shqiptar si Alush Lleshanaku, Anastas Shundi, Kristo Mihali, Mihal Kosta, Ndoc Gera, Ali Kuçi, Skënder Sadiku, Telemak Anastasiadhi, Aqif Domini, Bahri Toptani, Teni Frashëri, Ahmet Ashikja, Nush Luka, Myfid Halimi, Mir Papajani, Muhamet Halili, Avni Zajmi, Anton Mazreku, Enver Kulla, po dhe të tjerë të gjithë të drejtuar dhe të formuar për vite edhe nga vetë Koloneli Oakley Hill, i cili nuk duhet harruar se vinte nga toka e futbollit, Mbretëria e Bashkuar. Kështu patëm mbërritur edhe te 8 korriku 1937, kur shtypi shqiptar njoftonte se “FIFA njeh për herë të parë tre gjyqtarë ndërkombëtarë nga Shqipëria: Luigj Shala, Eqrem Stërmasi dhe Llazar Miha”, çka ka qenë qenë fryt edhe i përpjekjeve të Kolonelit, përveç të tjerave njeriu i cili solli për herë të parë në Shqipëri, marrë nga Federata Angleze e Futbollit, rregullat e futbollit. Dhe qysh më 1930-1931, ai arrin të fitojë atë që, siç e përcakton vetë, “betejën e vërtetë, por gjithsesi puna u krye dhe rregullorja u shtyp e u qarkullua në të gjitha klubet e futbollit”. Ai merr kryesinë e Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar, gjithnjë i quajtur KTASH, sepse siç shkruan, “m’u kërkua të merrja kryesinë e komitetit”, që fiksonte kalendarin e Kampionatit, pranonte zyrtarisht rezultatet, caktonte gjyqtarët, organizonte kursin e trainimit për gjyqtarët ekzistues dhe për kandidatët. Të gjitha këto punë, në krye kanë një emër: Koloneli Dayrell Oakley –Hill. Me të fillon. Pasi ta njohim atë si sekretar të përgjithshëm të FSHF-së, mund të gjejmë edhe të tjerët dhe FIFA mund të marrë një përgjigje edhe pse të mundimshme.

2. E tash, disa data historike:

…1900: Zhvillohet gara e parë e hipizmit në Shkodër me pjesëmarrjen e ushtarakëve turq dhe kalorësve vendas.

…1901: Në Shkodër vjen biçikleta e parë me të cilën shëtit një qytetar i quajtur Cuk Skjapi, i cili sipas dëshmitarit Palok Nika, mahnit qytetin duke ecur me biçikletë.

…1902-04: Fillon një farë futbolli sporadik në disa lagje të qytetit të Shkodrës.

…1905: Formohet në Shkodër skuadra e parë e futbollit, “Leka i Madh” te lagjja “Arra e madhe”.

…1907: At Ruter, prift nga Malta, sjell në Kolegjin Saverian të Shkodrës, topin e parë të futbollit të vërtetë të periudhës.

…1908: Në Elbasan formohet Shoqëria Afërdita, çka përbën fillimet e sportit në këtë qytet.

…1909: Në Korçë, nën kujdesit e Hil Mosit, formohet Shoqëria kulturore-atdhetare “Vëllazëria” e cila ka në program edhe organizime të mundëshme sportive.

…1910: Marinarë të anijeve të huaja paraqesin ndeshjet e para të futbollit në Vlorë.

…1911: Në Shkodër, sipas studjuesit Enver Bushati, lindin dhe dalin në fushën e lojës disa skuadra të lagjeve.

…1912: Themelohet në Shkodër për herë të parë një përfaqësuese e një qyteti në futboll: Indipendenca e Shkodrës.

…1913: Në gusht ose shtator të këtij viti zhvillohet ndeshja e parë zyrtare e futbollit, sipas rregullave të kohës, nën kujdesin e Palok Nikës midis Indipendencës së Shkodrës dhe skuadrës përfaqësuese të ushtrive ndërkombëtare që ndodheshin në Shkodër. Zbatohet rregullorja e plotë e futbollit.

…1914: Zhvillohen manifestimet e para gjimnastikore në shkollat e Shqipërisë.

…1915-18: Zhvillohen gara atletike spontane në qytetet kryesorë të Shqipërisë.

…1919: Themelohet Shoqëria kulturore-artistike-sportive Vllaznia e Shkodrës, e cila duhet marrë edhe si e para shoqëri shumësportëshe në Shqipëri. Kryetar zgjidhet Hil Mosi.

…1920: * Palok Nika organizon garën e parë zyrtare të vrapimit, një maratonë e vogël, rreth 4200 metra e cila fitohet nga Kol Gjoni.

* Krijohet në Tiranë Shoqëria e Futbollit Agimi nën kujdesin e P.Nikës, A.Er_ebara. Agimi luan ndeshjen e parë me Juventus të Shkodrës të cilën e humb 1-2.

* Fillon të luhet basketbolli në Shkollën Teknike të Tiranës

…1921: Për herë të parë në Tiranë zhvillohet një ndeshje e plotë futbolli: Agimi – Vllaznia 1-2.

Vështroni këto data që i bëjnë nder jo vetëm historisë së sportit kombëtar, por krejt historisë së Shqipërisë. E shihni se diçka kemi qenë edhe në këto fusha qysh në fillim të shekullit XX. Pra jo vetëm nga fundi i vitit 1944.

Ndërkaq, kohët e fundit edhe me nxitjen e autorit të këtyre rradhëve, Posta Shqiptare emetoi një pullë poste kushtuar 90-vjetorit të futbollit në Shqipëri. Eshtë e pafalshme që FSHF-ja, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, nuk u mor me këtë datë që për habi është festuar dy herë edhe gjatë regjimit komunist! Dhe është e çuditshme që Posta Shqiptare del më në pararojë se vetë organizmat sportivë. Me një fjalë, këtë vend, veç historia nuk e mundon. Ndonëse ajo ende nuk është “zbuluar” e tanë.

3. Le të kthehemi te një ngjarje e pesë viteve më parë. Ka qenë një mbrëmje shtetërore e dhjetorit të vitit 1999 që pat mbledhur në pak orë një histori të bukur, të paharrueshme dhe të gjithë pjesëmarrësit e saj vërtet e meritonin nderimin e madh që i’u bë, sepse kishin shkrirë jetën e tyre për sportin dhe i’u kishin dhënë shqiptarëve kënaqësira të pashlyeshme në gjithë vitet e Pasluftës. Të gjithë sportistët e nderuar me një medalje të posaçme, patën ardhur aty sipas një kriteri: ata që ishin Mjeshtra të Merituar Sporti dhe Trajnerë Kombëtar si dhe ato pak Mësues të Popullit të sektorit. Bukur deri këtu. Po vetvetiu lindte pyetja: a ishin vetëm këta sportistët që e meritonin një nder të tillë? Pata shkruar se ende ndër ne mbeten në majë mbi 90 përqind të sportistëve të cilët kanë marrë titujt e Shqipërisë Socialiste. Dhe vetëm kaq. Ata tituj, Mjeshtër i Merituar Sporti apo Mjeshtër Sporti, një imitim sovjetik i paekuivok, që natyrisht zotëruesit e tyre i meritojnë, megjithatë nuk përmbledhin gjithë historinë e bukur të sportit shqiptar. Megjithë vlerat e tyre të pakundërshtueshme, ata përfaqësonin dhe përfaqësojnë vetëm një pjesë të historisë së sporteve, natyrisht një pjesë fort të nderuar. Po e keqja e madhe ishte se për një pjesë tjetër të rëndësishme të kësaj historije, ende Shqipëria nuk donte të dinte, duke mbetur në gjykimin e viteve ’50. Kanë kaluar plot pesë vjet pra, nga ajo analizë kritike. Nuk ka ndryshuar asgjë. Po përsëris pa shtuar, ndonëse ka mjaft për të shtuar, emra të munguar që duhej të nderoheshin atë mbrëmbje dhjetori 1999, figura të shquara organizuese, ushtruese, zhvilluese të sportit kombëtar, gjithnjë të panderuar: Izedin Beshiri, Princesha Myzejn, Oakley Hill, Musa Juka, Nush Bushati, Prof. Besim Qorri, Ragip A. Hoxha, Eqrem Stërmasi, Hajdar Jakupi, Mirash Ivanaj, Pjetër Guraziu, Kristaq Strati, Qemal Omari, Said Toptani, Vangjel Turtulli, Prof. Ratti, Prof. Lissoni, Dr. Vasfi Samimi, Taip Shkodra, Sulejman Karkini, Prof. Aqif Domini, Mihal Kosta, Samo Singer, Anastas Moisiu, Tom Gjiri, Ndoc Gera, Mazllum Xurxa, Elez Maha, Galip Juka, Stefan Shundi, Anastas Koja, Telemak Nushi, Rit Margeriti, Teki Selenica, Gaqo Gogo, Anatas Koxhaj, Taq Pisha, Luigj Shala, Muhamet Halili, Palok Nika, Anton Mazreku, Petro Sturgji, Niko Dovana, Dake Kusi, Bexhet Jolldashi, Irfan Gjinali, Kin Bushati, Hil Staka, Paç Koliqi, Asim Golemi, Qazim Dervishi, Luigj Radoja, Demir Cara, Rit Margeriti, Hot Mirdita, Latif Alibali, Vasip Alushi, Shefqet Jolldashi, Sabaudin Biçaku, Alush Lleshanaku, Aqif Domini, Demir Karriqi, Gjon Kiri, Mikel Nushi, Teufik Agaj, Halim Begeja, Sabit Çoku, Isuf Dashi, Teli Samsuri, Demir Cara, Kristo Mihali, Nimet Tartari, Hil Staka, prof. Rexhep Krasniqi, Klani Marjani, Mark Gurashi, Rudolf Gurashi, Selman Stërmasi, Adem Karrapici, Skender Gjinali, Emil Hajnali, Mitaq e Lef Sallata, Foto Janku, Bik Jakova, Nimet Tartari, Haki Korça, Zyber Lisi, Hasan Maluçi, Miço Plluska, Maliq Petrela, Prokop Myzeqari, Gjon Sabati, Abdulla Shehri, Abdyl Këllezi, Rafael Dishnica, Reshit Rusi, Fori Stasa, Ragip Lohja, Minella Anastasiadhi, Ali Ohri, Sefedin Biçaku, Kristo Isak, Ilia Likoka, Nebi Faslliu, Sandër Kraja, Ibrahim Kodra, Kol Trebicka, Koço Kereku, Ali Haveriku… Për fat të mirë, në këto pesë, një njeri i gjykimeve në futbollin shqiptar, Ing. Mëhill Shkambi, bëri hapin e parë për të nderuar ndoshta më të madhin, Profesor Luigj Shalën, duke krijuar Çmimin “Luigj Shala” për gjyqtarët e futbollit. Nuk mund të thuash se u mbështet. E po për fat të mirë, kohët e fundit dha një shembull Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar me Klani Marjanin. Dhe vetëm kaq. Tash presim të vihet në vend figura e Kolonelit. Dhe pas tij të gjithë të tjerët?…

Ndryshe do të mbesim te konkluzioni i tmerrshëm i mbledhjes së famshme të Federatës Shqiptare Sportive të 3 shtatorit 1945, kur me një ndjenjë të qartë antikombëtare, u deklarua fjalë për fjalë kështu: “Të fshihet një herë e përgjithmonë faqja e zezë e lëvizjes sportive të së kaluarës!”

Kjo deklaratë historike ka mbetur në historinë tonë kombëtare si një turp i madh. Kulturën historike të sporteve, pa vënien e së cilës në baza kontemporane nuk mund të ketë sport modern, nuk mund ta shpëtojnë shkrimet e gazetave, madje as librat e shkruar. Këto janë pak. Shpëtimi (edhe këte e kam thënë) mund të fillonte me përpjekjen e parë për të bashkuar historinë në një, jo duke e ndarë si në mbrëmbjen e paharrueshme të dhjetorit ’99.

Ndryshe mbesim si te mohimi emblematik i Federatës Shqiptare Sportive të 3 shtatorit 1945 se ai sport “kishte qenë faqja e zezë e lëvizjes sportive të së kaluarës që duhet fshirë një herë e mirë.” Koloneli Hill sapo ka “mbërritur” me histori në dorë. Ta nderojmë. Sepse, siç thotë një gazetar i madh, Enzo Biagi: “Kush nuk ka kujtesë, nuk ka ndjenjën e jetës së tij.”