Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia më në fund ka thyer tabunë e transfertave në këtë sezon. Shkodranët kanë regjistruar fitoren e parë jashtë fushës në kampionatin 2026-27, teksa në javën e 12-të kanë triumfuar 0-1 ndaj Partizanit. Një sukses me peshë për kuqeblutë, që vjen në një moment të rëndësishëm të sezonit dhe që mund të shërbejë si një pikënisje për një ecuri më pozitive në vazhdim.
Heroi i kësaj fitoreje ishte kapiteni Bekim Balaj, i cili realizoi nga pika e bardhë golin e vetëm të takimit. Sulmuesi me përvojë nuk gaboi në momentin vendimtar, duke i dhënë Vllaznisë avantazhin që skuadra e Laszlos arriti ta administrojë deri në vërshëllimën e fundit. Një gol që vlen tri pikë dhe që rikthen buzëqeshjen te shkodranët pas një periudhe jo të lehtë.
Për Vllazninë, ky triumf ka edhe një tjetër domethënie, pasi i jep fund një pritjeje prej rreth shtatë muajsh për një fitore në transfertë. Suksesi i fundit jashtë Shkodrës kishte ardhur pikërisht ndaj Partizanit, në javën e 30-të të sezonit të kaluar, kur kuqeblutë fituan me shifrat 0-2. Pra, edhe kësaj here ishte “demat” ata që u shfaqën përballë si viktima e radhës, duke rikthyer njëkohësisht një rezultat që kishte munguar prej muajsh.
Kjo fitore merr edhe më shumë vlerë për mënyrën se si vjen. Vllaznia ka kaluar një periudhë me shumë vështirësi, rezultate negative dhe probleme në konsolidimin e skuadrës, por triumfi në kryeqytet mund të jetë një pikë kthese për ekipin e drejtuar nga Csaba Laszlo. Trajneri hungarez kërkon të ndërtojë gradualisht një skuadër më të qëndrueshme dhe ky rezultat mund t’i japë grupit besimin e nevojshëm.
Në këtë aspekt, fitorja ndaj Partizanit mund të konsiderohet edhe si një ogur pozitiv për atë që pritet të ndodhë në javët e ardhshme. Tre pikët në transfertë jo vetëm që përmirësojnë pozitat e Vllaznisë në renditje, por mbi të gjitha i tregojnë skuadrës se mund të marrë rezultate edhe jashtë “Loro Boriçit”. Pikërisht kjo ka qenë një prej mangësive kryesore të kuqebluve gjatë këtij sezoni.
Tashmë sfida e Vllaznisë është që kjo fitore të mos mbetet një episod i izoluar. Laszlo dhe futbollistët e tij do të kërkojnë t’a shfrytëzojnë këtë moment për të ndërtuar një seri rezultatesh pozitive dhe për të rikuperuar terrenin e humbur në javët e para. Fitorja 0-1 ndaj Partizanit thyen një tabu, por mbi të gjitha mund të jetë fillimi i një kapitulli të ri për kuqeblutë në këtë sezon.


