FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETitullar në sfidën e fundit, mbrojtësi jep sinjale pozitive për Lazslon

Titullar në sfidën e fundit, mbrojtësi jep sinjale pozitive për Lazslon

Shkruar nga Endri ÇINARI

Fatbardh Latifi ishte një prej pikave pozitive të Vllaznisë në fitoren 0-1 ndaj Partizanit, duke marrë për herë të parë një fanellë titullari nën drejtimin e trajnerit Csaba Laszlo. Kosovari shfrytëzoi mundësinë e dhënë nga tekniku hungarez dhe zhvilloi një paraqitje bindëse, duke dhënë sinjale të qarta se mund të ketë një rol më të rëndësishëm në vazhdimësinë e sezonit.

27-vjeçari u shfaq i sigurt në prapavijë, duke qenë një prej lojtarëve që i dha stabilitet repartit defensiv. Përballë një kundërshtari si Partizani, në një transfertë që kërkonte përqendrim maksimal, Latifi u përball mirë me duelet dhe ndërhyrjet, duke treguar qetësi dhe vendosmëri në momentet kur skuadra duhej të mbronte avantazhin.

Një prej elementeve që ra më shumë në sy ishte edhe forca fizike e kosovarit. Latifi u imponua në disa duele me lojtarët e Partizanit dhe tregoi se mund të jetë një mbrojtës që i jep skuadrës prezencë dhe siguri në kontaktet fizike. Për më tepër, ai ruajti një nivel të mirë përqendrimi gjatë gjithë takimit, duke ndihmuar Vllazninë të mbyllte ndeshjen me portën e paprekur.

Kjo paraqitje merr vlerë edhe për faktin se erdhi në një moment kur Vllaznia po kërkon të përmirësojë ndjeshëm repartin defensiv. Mbrojtja ka qenë një prej pikave më problematike të kuqebluve gjatë këtij sezoni, ndaj çdo alternativë që garanton më shumë siguri është e mirëpritur. Latifi, me atë që tregoi në kryeqytet, dëshmoi se mund të jetë një prej këtyre alternativave.

Në fakt, paraqitje të tilla mund të ndryshojnë edhe planet e klubit në merkato. Vllaznia pritet të kërkojë përforcime në prapavijë, por nëse Latifi vijon me të njëjtin nivel, atëherë një pjesë e zgjidhjeve mund të gjenden brenda grupit aktual. Konkurrenca për një vend në formacion do të ishte një tjetër element pozitiv për trajnerin Laszlo, i cili do të kishte më shumë alternativa në dispozicion.

Për Latifin, sfida tashmë është të konfirmojë këtë paraqitje edhe në ndeshjet e ardhshme. Një debutim si titullar me këtë nivel është një hap i rëndësishëm, por vazhdimësia do të jetë ajo që do të përcaktojë peshën e tij në skuadër. Nëse vijon të japë të njëjtën siguri në prapavijë, 27-vjeçari mund të shndërrohet në një opsion shumë të vlefshëm për Vllazninë në pjesën e mbetur të sezonit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments