Nga Bledar Kuka

Në Shkodër ka një shprehje: “nuk vritet as për gjak”. Thuhet për ata djem (pasi femra nuk vritej sipas rregullave të dikurshme) që janë aq të mirë, aq të mrekullueshëm saqë nuk iu shkrep dot armën as kur i ke hasëm. Një nga ata djem ishte edhe Agim Tafili, ndonëse vdekja nuk mendoi kështu dhe e mori në moshën 52-vjeçare.

Në Shkodër thonin edhe një shprehje tjetër, atë që “në këtë qytet, njerëzit dalin nga shtëpia me mendjen për të bërë humor”. Do të shtoja edhe se dalin nga shtëpia për të bërë sport. I tillë ishte edhe Agim Tafili, ndonëse ai nuk ishte një shkodran “i vjetër”, por një djalë nga Bërdica, fshati që ndodhet në një pozicion strategjik, në kryqëzimin e rrugëve që të çojnë në Shkodër dhe në Velipojë, pranë një vendi ku Drini është aq i gjerë dhe aq i bukur. Agim Tafili ishte njeri i sportit, saktësisht i çiklizmit, një djalosh që shpërtheu në moshë fare të re, fitoi shumë tituj kampion kombëtar, shumë turne, u bë një kapiten i madh i Vllaznisë dhe ekipit kombëtar, pati pafatësi gjatë karrierës, të cilat nuk e lanë që të fitonte më shumë, ndërsa provoi ta fitonte titullin kampion edhe në moshën 36-vjeçare.

Në Shkodër, por edhe në krejt Shqipërinë, e donin shumë Agimin dhe u hidhëruan jashtë mase kur ai ndërroi jetë në 15 janar të këtij viti në Greqi, për shkak të një sëmundjeje të gjatë të mushkërive.

I lindur më 19 maj të 1960-ës, Agimi e kishte biçikletën si pjesën e tij të pandarë, pak a shumë siç shkruan Kadare që “shqiptari e kishte pushkën e gjatë si zgjatim të trupit të tij”. Me atë biçikletë ai udhëtonte nga të katër anët, pasi Bërdica nuk është larg Shkodrës apo Velipojës. Një ditë prej ditësh, mësuesi i tij i fizkulturës, i cili si shumica e mësuesve të fizkulturës asokohe ishte edukuar me dëshirën për të nxjerrë talente sporti, i dha Tafilit të vogël një këshillë.

“Bëhu çiklist” ishin fjalët e Bahri Asllanit, mësuesit të atëhershëm të Agimit. Në Shqipërinë e socializmit përveç të tjerave organizoheshin edhe spartakiada lokale, dhe në këto gara ra në sy edhe ky djalosh nga Bërdica. Mësuesi i tij ia sugjeroi trajnerit të të rinjve të Vllaznisë në atë kohë, të madhit Ruzhdi Murriqi, njërit prej pinjollëve të familjes madhështore sportive të Murriqëve të Shkodrës. Veçse, vlen të përmendet fakti se, ashtu si shumë djem e vajza tek ne, edhe ai kishte frikë se do të pengohej nga familja. Dhe babai nuk e mori vesh që djali po i bëhej çiklist. Këtë të fshehtë, Agimi e kishte ndarë vetëm më xhaxhain e tij, “axhën Rexhep”, siç e thoshte ai vetë në shkodranishten e tij të mrekullueshme.

Ndërsa mbushte 17 vjeç, Agim Tafili bëhej pjesë e skuadrës së të rriturve të Vllaznisë dhe merrte pjesë në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë të vitit 1977 dhe aty papritmas zinte vendin e tretë. 1978-ta dukej se do të ishte viti i tij. Vetëm 18 vjeç, por i shkëlqyer. Veçse, ajo që do ta godiste aq shpesh nuk e kurseu që në fillim. Defektet apo rrëzimet. Një defekt e pengoi të fitonte kupën e zhvilluar në 1 maj për nder të 35-vjetorit të themelimit të Forcave të Kufirit, fatkeqësi që i ndodhi në aksin Tiranë-Fier 113 km të gjatë.

Por asgjë nuk e pengoi që të shkëlqente në fund të majit të 1978-ës në kampionatin kombëtar ku kombinoheshin garat e shpejtësisë dhe të rezistencës. Pati në atë kampionat një garë kronometri vrasëse, 50 kilometra të gjatë. Ishin zgjedhur 25 km të rrugës Tiranë-Durrës në krahun e Vorës. Ishte gara e shpejtësisë, 50 km vajtje-ardhje, distancë të cilin shkodrani i hajthëm e përshkoi për 1 orë, 12 minuta e 48 sekonda, me një mesatare të pabesueshme për atë kohë në Shqipëri: 41.2 km në orë!

Bëhej fjalë për Shqipërinë e rrugëve aspak moderne, ndonëse normale, të biçikletave “arkaike” për shkak të pamundësisë për të shpenzuar shumë në një sport të kushtueshëm, bëhej fjalë për Shqipërinë ku trajnerët e kishin aq shumë të vështirë të përparonin me dijet e veta. Nejse, nuk ishin rrugët e vitit 1920 kur u zhvillua gara e parë historike e çiklizmit në Shkodër, as të vitit 1925 kur organizohej rrethi i parë çiklistik shqiptar, me 7 shoqëritë sportive që kishte Shkodra. Dhe kuptohet, nuk ishin rrugët e 1945-ës, të pas-Luftës së Dytë Botërore që kishte shkatërruar gjithçka dhe ku heronjtë e asaj kohe si Krreku, Aliaj, Angjeli apo Cico, detyroheshin të kalonin nëpër rryma uji, të kapërcenin me trap Shkumbinin në Rrogozhinë, Semanin në Mbrostar apo Vjosën në Mifol (siç shkruante “Sporti Popullor i epokës), për shkak se urat ishin të hedhura në erë.

Tafili pati më shumë fat se këta, por pikërisht në atë që do të ishte kulmi i suksesit për 1978-ës i ndodhi një tjetër defekt (m’u shpuan të dyja gomat, shpjegonte ish-kampioni). Në Rrethin Çiklistik të atij viti, Agim Tafili ishte duke fituar me një diferencë të shëndoshë mbi Agim Huqin e famshëm (2’36”). Por, në etapën finale Korçë-Tiranë, atij i ndodhi një aksident teknik që e la në vend të 11-të me shumë minuta larg fituesit, Huqit të shquar të Partizanit.

Në 1978, ai doli kampion edhe në garën e rezistencës (163 km e gjatë) duke lënë prapa Fatos Mingomatën e 17 Nëntorit (Tirana e sotme) si edhe fitoi kupën e Festave të Nëntorit (28-30 nëntor), duke lënë pas Agim Huqin dhe Ahmetin e Flamurtarit. Më pas hyri 1979-ta. Viti që do të sillte tërmetin e tmerrshëm sidomos për Shkodrën, si dhe vdekjen e njërit prej udhëheqësve të Partisë së Punës, Hysni Kapos.

Por, për sportin ai vit do të mbahet mend për titullin europian të Elisabeta Karabollit në qitje, shkëlqimin e fundit të Partizanit të basketbollit të meshkujve dhe Dinamos së volejbollit të meshkujve dhe nisjen e rrezatimit të Dinamos së volejbollit të femrave.

Por edhe për një rivalitet të tmerrshëm në çiklizëm, duel mes Agim Tafilit, tashmë sportist i Partizanit (shkoi ushtar) dhe Agim Huqit, idhullit të vërtetë të tifozëve të kuq. Në Spartakiadën e 35-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Tafili fitoi garën 40 kilometërshe duke lënë Huqin prapa vetëm me 9 sekonda.

Më tej erdhi Rrethi i 35-të Çiklistik i Shqipërisë, rrethi jubilar, të cilin shkodrani e fitoi pas 23 orësh, 9 minutash e 20 sekondash mbi biçikletë. Agim Huqi mbeti vetëm 10 sekonda prapa! Dhe ishte po ai vit 1979, kur skuadra e të rinjve të Vllaznisë u shpall kampione kombëtare, duke pasur në radhët e veta yllin e ardhshëm kuqeblu, Brahim Sykja, dhe vëllain më të vogël të Agimit, Sitki Tafili. Trajner ishte sërish Ruzhdi Murriqi. Janë gjithsej 6 tituj kampionë për shkodranin, i cili më 1983-in pati një shkëputje nga sporti. Pra, nëse nuk do të llogarisim këtë ndërprerje, të 6 titujt e Agimit janë radhazi (1979, 1980, 1981, 1982, 1984, 1985).

Më 1986, më në fund ky 26-vjeçar që ishte bërë tashmë Mjeshtër i Merituar i Sportit, u detyrua të kënaqej me vendin e tretë në Rrethin Çiklistik, pas dyshes së Partizanit, Ardian Ferraizi (20 vjeç, 1.90 metra shtatlartë) dhe rivalit të përjetshëm Agim Huqi. Veçse, shoku i tij shkodran i ekipit, Brahim Sykja, zbulon në një intervistë në dhjetor të atij viti se “nëse Agim Tafilit nuk do t’i kishte ndodhur ai defekt në Gjirokastër, renditja do të kishte qenë tjetër”.

Punëtori i thjeshtë i Ndërmarrjes së Riparim Shërbimeve në Shkodër mbetej ende i fortë dhe këtë e tregoi në dy garat ndërkombëtare të 1986-ës, në turin e Greqisë dhe turin e Turqisë. Në Greqi, mes 90 pjesëmarrësve, Tafili zuri vendin e 26-të, ndërsa kulmi u arrit në 913 kilometrat e Rrethit Çiklistik të Turqisë, ku ekipi shqiptar me kapiten Agim Tafilin zuri vendin e dytë pas skuadrës së fortë të Polonisë, madje me diferencë vetëm 55 sekonda. “Nuk kishte në atë garë kapiten më të mirë sesa Agim Tafili”, shkruante Besnik Dizdari në “Sportin Shqiptar” të shtator-tetorit të 1986-ës. Në përfundim Ardian Ferraizi, Brahim Sykja dhe Agim Tafili zunë vend ndër 6 më të mirët e kompeticionit. Ajo skuadër shqiptare ishte e përbërë nga kapiteni Agim Tafili, shkodranët e tjerë Brahim Sykja e Sitki Tafili, dy çiklistët e shquar të Partizanit, Ardian Ferraizi (kampion kombëtar) e Agron Huqi si dhe fieraku Albert Çuko.

Vitet e arta nuk mund të vazhdonin më, ndonëse njeriu i jashtëzakonshëm Agim Tafili nuk kishte humbur asnjë grimë nga respekti dhe reputacioni i tij, përkundrazi. Në fund të 1991-it ndodhi kalimi për në Greqi ku punoi tek skuadra e çiklizmit e Patrës në krah të grekut të famshëm Kanellopulos. Sporti e ndihmoi të merrte edhe dokumentet e rregullta greke, diçka aq e vështirë për shqiptarët në atë kohë. Por, ëndrra e tij nuk kishte përfunduar. Më 1996, në moshën 36-vjeçare kthehet në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë dhe … zë vendin e dytë.

Jeta, për fat të keq, nuk u tregua gjithnjë bujare për këtë gjigand të sportit epik të çiklizmit. Në Greqi, ai punoi thjesht si hidraulik, si një jehonë e jetës së punëtorit të dikurshëm të ndërmarrjes së riparim shërbimeve. Nuk mjaftoi karriera e tij e shkëlqyer që të përfitonte aq sa të jetonte normalisht. Po ashtu si edhe për shumë sportistë të tjerë të mëdhenj si Ymer Pampuri apo Agron Haxhihyseni, sa për të dhënë dy shembuj. “Dihet që jemi emigrantë dhe duhet të jetojmë. Në vendin tonë ende nuk është arritur ai standard jetese që t’i jepet vendi i duhur gjithësecilit” janë fjalët e tij.

Ai vdiq shpejt, tepër shpejt, ndërsa në shpirtin e tij nuk mundej të shuhej kurrë malli i tij i madh për Bërdicën dhe Shkodrën, qytetin që ka një nga hyrjet më të bukura me dy lumenj e një liqen dhe me kodrat e malet rreth e rrotull tij. Djali i tij, Alsidi, është sot futbollist, ndërsa vajza e tij, Dezdemona, prej vitesh jeton e martuar në Greqi. Dua t’ia lë fjalën e fundit kolegut tim Dizdari, në një elegji të tij për Agim Tafilin e madh:

“Ai tani ka shkuar të pushojë në lartësinë e një kodre, e cila sheh një horizont të pamatë: Rozafa e moçme që të duket se qëndron si një monument gjigant mbi Drinazën, që sot në këtë janar 2012 është më e akullt se kurrë. Mbi të Maranaj e Cukali, të zbardhur në majën të tyre që të duken se kapin qiellin, këtu pranë Taraboshi disi tjetër, çka aq rrallë e kemi parë kësisoj. Nga mbrapa majës së kodrës, fusha që të çon në bregdet. Kështu, Agim Tafili duket se i sundon të gjithë”.