Portugezi Paulo Estrela është afrimi i parë i Skënderbeut në këtë merkato janari. Pas shumë ditësh pritjeje se kur do të ndodhte afrimi i parë i korçarëve, gjithçka është finalizuar ditën e djeshme me një përforcim, që do t’i rrisë cilësinë korçarëve dhe do të ndihmojë ekipin për të dalë nga pozicioni ku ndodhet në renditje.
Estrela ka luajtur në nivele të ndryshme në Portugali duke provuar edhe ligën e parë, por edhe atë të dytë. I dalë nga akademia e Portos dhe me një eksperiencë për tu vlerësuar në kampionatin portugez në radhët e Portimonenses, 25-vjeçari pritet të krijojë diferencën në mesfushën e korçarëve. Ka qenë një insistim i drejtorit sportiv Ardi Gjançi, që ka bërë të mundur finalizimin e këtij transferimi dhe pritet që në ditët në vijim mesfushori portugez të zyrtarizohet edhe nga klubi korçar.
Në raport me këtë transferim Gjançi ka qenë i bindur se bëhet fjalë për një afrim cilësor, ndaj ka insistuar për të bindur Estrelan që të veshë fanellën bardhekuqe. Ky afrim duket se është një pikë e rëndësishme e Skënderbeut për të tentuar ngritjen cilësore të ekipit dhe më tej përmirësimin e rezultateve dhe pozicionit në renditje.
Estrela e ka aventurën e parë jashtë Portugalisë eksperiencën me korçaret teksa më herët ka luajtur në ligën e dytë portugeze dhe në ligën e parë me Portimonensen, por ajo që vlen për tu theksuar është se 25-vjeçari ka veshur edhe fanellën e kombëtares portugeze për moshat U-15 deri në U-19. I veçantë është edhe fakti se Estrela menaxhohet nga agjencia “Gestifute”, në pronësi të Horge Mendes, një nga menaxherët më të mirë të në botë në dy dekadat e fundit. Ai ka në mënaxhin lojtarë si Ronaldo, Bernardo Silva apo Ruben Diaz.
AFRIMET – Me goditjen e parë, që tashmë është e mbyllur, korçarët presin të paktën edhe katër futbollistë të tjerë për të përforcuar ekipin për pjesën e dytë të kampionatit. Duket se pas afrimit të një mesfushori cilësor siç është Estrela, pritet që afrimet e tjera të jenë të programuara sipas kërkesës së trajnerit bardhekuq. Gjoka ka kërkuar që të ketë përforcime në të tria repartet.
Ndaj edhe për këtë arsye, nisur nga zërat që qarkullojnë brenda klubit, korçarët do të afrojnë të paktën edhe një mesfushor tjetër, dy mbrojtës dhe një sulmues. Këto kanë qenë kërkesat fillestare të trajnerit të ri të Skënderbeut, teksa mbetet për t’u parë nëse klubi dhe drejtuesit e merkatos mund të dalin tej parashikimeve dhe të afrojnë të tjerë lojtarë për të forcuar organikën edhe më shumë.