Ylli i Real Madridit, Jude Bellingham aktualisht po shijon pushimin e tij, por ai e la Carlo Ancelottin mjaft ‘të zemëruar’ duke mos iu përgjigjur telefonatës së tij.

Në një shkëmbim humoristik me mediat pak ditë më parë, italiani zbuloi se anglezi, megjithatë, iu përgjigj një telefonate nga Vinicius Junior menjëherë më pas. Reprezentuesi anglez tani i është bashkuar shakasë duke shpërndarë një foto gazmore në profilin e tij në rrjetet sociale.

Real Madridi, tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pësoi dy disfata kundër Milanit dhe Barcelonës. Megjithatë, shumica e lojtarëve të tyre kryesorë, përfshirë Bellinghamin, janë ende të padisponueshëm.

Ndërkohë Vinicius së fundmi iu bashkua kampit madrilen dhe madje luajti në El Clasico kundër Barcelonës. Duke reflektuar në përpjekjen e tij për të arritur Bellinghamin pas lojës, Ancelotti tha me humor: “Dje u inatosa me Bellinghamin, e thirra dhe ai nuk u përgjigj dhe i thashë Vinicius ta thërriste dhe ai (Bllingham) e hapi telefonin”, tha ai.

Në përgjigje të komenteve lozonjare të Ancelottit, Bellingham ndau një foto të reagimit të tij të befasuar kur pa thirrjen e shefit të tij në Instagram. Ky shkëmbim sigurisht që nxjerr në pah një moment të ngrohtë dhe të qetë mes lojtarit dhe trajnerit teksa përgatiten për sezonin e ri.

Ish-mesfushori i Borussia Dortmund shijoi një sezon debutues yjor në Madrid, duke shënuar 23 gola në 42 paraqitje, ndërsa ndihmoi skuadrën e tij të fitonte La Ligën dhe Ligën e Kampionëve.

Ai do të rikthehet në stërvitje këtë javë, me shpresat që ai dhe Kylian Mbappe do të jenë të disponueshëm për ndeshjen e Superkupës kundër Atalantës më 14 gusht. /Telegrafi/