Këto ditë, papritmas, po dëgjohen zërat më “guximtarë” që kemi dëgjuar ndonjëherë në historinë e Kampionatit të Shqipërisë, ndonëse në thelb këto zëra nuk kanë asgjë që ka të bëjë me guximin. Ka të bëjë vetëm me nënshtrimin e tyre ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, nënshtrim, përulje dhe servilizëm që kësisoj nuk ka ekzistuar as në kohën e Partisë.

Kështu pra, ende nuk kanë lindë apo dalë ata “burra” që mund të përjashtojnë prej Kampionatit të Parë të Shqipërisë, skuadrat fort të dëgjuara e historike të kombit siç janë Skënderbeu i Korçës dhe Luftëtari i Gjirokastrës. Kjo do të thotë se ato mund të ikin nga Kampionati i Shqipërisë vetëm nëse vetë ata deklarojnë falimentimin, dorëheqjen apo shkrirjen e tyre.

Skënderbeu i Korçës dhe Luftëtari i Gjirokastrës nuk janë KF Kamza e Kamzës, skuadra e një qyteti të ri deri dje një fshat, të cilën pa asnjë logjikë e përjashtuan prej Kampionatit, duke “falsifikuar”, përveç të tjerave, edhe vlerën e pikëve të skuadrave, çka çoi në artificialitetin e papamë deri sot të vërtetësisë së një Kampionati Kombëtar të një shteti të Europës.

Lojtaret-e-ekipit-te-Skenderbeut-duke-festuar-marrjen-e-kupes-se-Kampionatit-658x431

Skënderbeu i Korçës dhe Luftëtari i Gjirokastrës nuk e kanë krijuar futbollin e tyre falë kësaj FSHF-je të sotme, por falë bijve të tyre atdhetarë të shekullit të shkuar. Është disi dhe qesharake ta mendosh, siç po dëgjojmë të thuhet, se Besa e Kavajës dhe Dinamo e Tiranës po u përgatitkan për t’u rikthyer në vend të dy skuadrave korçaro-gjirokastrite.

Besa dhe Dinamo – dy skuadra të lavdishme për të gjithë ne – sot duhet të ulin kryet e të binden se për rënien e tyre janë fajtore ata vetë, jo pak edhe ngaqë iu përulën Federatës Shqiptare të Futbollit me vendimin e shkurtimit të skuadrave në vetëm 10, çka lehtësisht iu shkaktoi atyre rënien.

Besa e Kavajës dhe Dinamo e Tiranës, por edhe KS Elbasani e Tomori i Beratit, edhe KS Lushnja apo Apolonia e Fierit, gjithashtu duhet të ulin kryet, sepse për rënien e tyre janë po aq fajtore edhe ato vetë, që përveç të tjerave, pranuan pa bëza shkurtimin e skuadrave pjesëmarrëse të Kampionatit në 10, çka lehtësisht mund të çojë – ashtu siç dhe i çoi – në Kategorinë e Dytë, deri dhe Partizanin, Sportklub Tiranën e Vllazninë e Shkodrës.

Nëse dikush, një instancë, madje shtet apo qeveri qoftë, që ka kohë që nuk bëjnë thuajse asgjë për riorganizmin e sportit shqiptar në tanësi, mund të mendojnë asisoj për përjashtimin e Skënderbeut të Korçës dhe Luftëtarit të Gjirokastrës, atëherë revolucioni i futbollit shqiptar do të jetë shumë afër për përmbysjen e gjithë këtij organizimi, çka dashur apo pa dashur, po ndikon tejet në shkatërrimin e futbollit në qytetet parësorë tradicionalë të tij.

Kështu pra, nëse ju për gati 30 vjet të demokracisë nuk keni realizuar privatizmin e klubeve të futbollit të lëna në mëshirën e bashkive;

nëse ju nuk keni themeluar për veprim e autoritet Ligën Kombëtare Profesioniste të Futbollit;

nëse ju me dinakëri pengoni themelimin e vërtetë dhe aktiv të Ligës Kombëtare, duke deleguar artificialisht në krye të saj zëvendëspresidentin tuaj;

nëse ju keni lejuar shkatërrimin e Stadiumit historik Kombëtar “Qemal Stafa” të Shqipërisë – monument kulture – në vend që të riun ta bënit diku tjetër, çka përveç të tjerave, na hoqët përfitimin e një stadiumi më tepër;

nëse ju vini buzën në gaz kur bien Vllaznia e SK Tirana, duke guxuar madje të kaloni në sarkazëm teksa thoni “se edhe Juventusi ka rënë”;

nëse ju Kampionatin e Kategorisë së Dytë (sepse e Dytë është) e ndani në gegë e toskë; nëse ju bën klasifikime “degjeneruese” me gjysma pikësh;

nëse falë jush çdo vit ekipet “tuaja” kombëtare të të gjitha rangjeve, kurrë nuk mbërrijnë më shumë se deri 30 për qind sukses në kualifikimet Europiane;

nëse ju nuk arrini të ndalni assesi dhunën në stadiume, duke shkuar deri aty saqë një mbledhje “qeveritare” për këtë çështje, më shumë e kaloni me gaz e hare;

nëse ju guxoni e nxirrni në ankand deri emrin e Stadiumit Kombëtar në të mirë të biznesmenëve, çka sa për të dhënë ndonjë shembull, kurrë sipas jush stadiumet në Shqipëri, bie fjala, nuk mund t’u emërtuakan “Ferenc Pushkash” apo “Fritz Walter”; siç bëjnë hungarezët apo gjermanët, por jo vetëm ata;

nëse ju shitjen e të drejtës televizive të Kampionatit në vend që këte ta bëjnë klubet vetë, e bëni po ju;

nëse ju mbërrini që mbas gati 30 vjetëve, eliminimet e klubeve shqiptare prej Europës të jenë totale, për fatin tuaj me klube krejt të rëndomtë, pra jo me Kõln, Norçeping, Ajax, Torino, Austria, Celtic, Barcelona apo Partizan Beograd (dhe e merrni me mend pse i përmend këto klube);

nëse ju kujtoni se jemi kaq naivë sa të mendojmë se, gjasme po frenoni mbushjen e skuadrave shqiptare me të huaj, të cilët janë më të dobët se talentet e rinj të futbollit shqiptar, të cilëve po ua mbyllni dyert e skuadrave të qyteteve të tyre;

nëse UEFA “e juaj” ua dënon – ende pa shpalosur provat e sakta – me 10 vjet mospjesëmarrje skuadrën tuaj më të madhe shqiptare të viteve të fundit, dhe ju nuk bëzani assesi, atëherë aq më pak prej gjithë kësaj katrahure mund të lindin burra e të përjashtojnë Korçën e Gjirokastrën prej Kampionatit të Republikës së Shqipërisë.

Duket tashmë që koha e këtij drejtimi apo lidershipi të futbollit shqiptar po merr fund. Ndërtojeni sa të doni selinë ultramoderne të një niveli që nuk e kanë as shtetet disa herë më të fuqishëm se kjo Shqipëri gati e mjerë edhe në organizimin modern të futbollit, krenohuni sa të doni me arritjen e madhe në 24–shen e Kampionatit Europian me 80 për qind të futbollistëve që nuk i ka nxjerrë futbolli i Republikës së Shqipërisë. Nuk mjafton!

Kësisoj, ajo çka ka ndodhur me Luftëtarin e Skënderbeun, është si një pikë uji në oqean. E pra, këtu do të jemi. Besa e Dinamo, për të cilat prapëseprapë ndiej dhimbje të madhe, kësaj radhe gëzojnë para kohe. E megjithatë, e kanë një mundësi: të kërkojnë që urgjentisht të shtohen skuadrat në 14 a 16, të rikthehen pra, edhe ato, e të zhvillohet Kampionati i Shqipërisë për së mbari, ashtu siç është zhvilluar gjithmonë.

Jo me katër herë ndeshje tejet të mërzitshme e të pafryt për çdo çift skuadrash – çka ka boshatisur tribunat e stadiumeve si asnjëherë në historinë e Shqipërisë. Dhe për mjerim jo vetëm kaq. Skuadrat shqiptare të ndeshjeve të fundit eliminuese të Kupave të Europës vendosën rekordin kontinental për mospraninë e spektatorëve: Partizani – Qarabagh 2120 spektatorë! KF Laçi – Hapoel 1600 spektatorë!! Teuta – Ventspils 575 spektatorë! KF Kukësi – Debrecen 547 spektatorë!

Mendja ta thotë se revolucioni i ndryshimit të madh të drejtimit të sotëm të futbollit shqiptar duhet të jetë te pragu i derës. Puna e parë: kalimi i drejtimit të kampionateve te Liga Profesioniste Kombëtare e Futbollit. Jo Ligë e vetëm 10 presidentëve të Kampionatit të Parë, por Ligë e të gjitha skuadrave të të gjitha rangjeve të Shqipërisë.

Dhe duke kaluar po shpejt e shpejt te një drejtim profesionist, duke ia filluar qoftë dhe me dhimbje, me privatizimin e plotë të klubeve. Kësisoj, për të mbërritur sa më fort te kombëtarizimi qytetar, atdhetar i tyre dhe i krejt futbollit të Republikës së Shqipërisë. Çka për fat ka humbur keqaz.

Nuk do të ndalojmë me kaq. Gushti do të jetë ndoshta muaji më kritik i yni, për gjitha këto tema, trajtimi të cilave ka të bëjë vetëm me qëndrimin sa më atdhetar ndaj futbollit kombëtar. Gjithnjë me shpresë të madhe që ndërsa nuk mund të dalin “burra” e të përjashtojnë Skënderbeun e Luftëtarin, të mund të dalin burra që do të luftojnë pikërisht për këtë atdhetari të munguar sa në futbollin kombëtar, po aq në krejt sportin kombëtar.
* Opinion eshte botuar ne “Panorama Sport”