Duke lexuar një shkrim të profesor Sulejman Memës në “Panorama Sport”, më ka bërë shumë përshtypje një temë, e cila në fakt duhet të jetë kryefjala e një diskutimi të gjerë, ku të përfshihet jo vetëm komuniteti i sportit, por edhe biznesi, pushteti qendror, si dhe ai lokal. Duke respektuar kontributin e pamohueshëm në futbollin shqiptar të profesor Memës, pjesa që ia vlen të ketë një vëmendje më të shtuar është që në përgjithësi sporti në Shqipëri është ndërmjet mbijetesës dhe sfidës për të rritur nivelin.

Këtu në një mendim të thelluar besoj se faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë gjendje janë: 1. Kuadri ligjor për mbështetjen dhe nxitjen e zhvillimit të sportit nëpërmjet mbështetjes nga pushteti qendror, qeverisja lokale dhe bizneset. 2. Infrastruktura sportive për të krijuar kushtet për masivizimin e sportit. 3. Zhvillimi dhe përgatitja, sipas metodave bashkëkohore e edukatorëve apo trajnerëve të moshave. 4. Krijimi i besimit të duhur për nxitjen dhe zhvillimin e talenteve të reja, duke i promovuar si në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për sa i takon pikës së parë në lidhje me kuadrin ligjor, të gjithë tashmë e dimë që ka pasur disa herë tentativa nga drejtues të FSHF-së, për të nxitur miratimin e një ligji për sponsorizimin, por akoma nuk ka asnjë lëvizje konkrete.

Biznesmenët aktualë nuk kanë asnjë motivim apo nxitje që të financojnë klubet dhe nuk është çudi që edhe klube elitare, një ditë të gjenden në një kolaps financiar, duke përfunduar në greminë.

Sot të gjithë jemi dëshmitarë se si futbollit shqiptar i mungojnë emra të mëdhenj si Flamurtari, Skënderbeu, Luftëtari, Tomori, Apolonia, Besa e Kavajës apo Elbasani, ndërkohë që askush nuk shqetësohet që gjeografia e futbollit po tkurret dhe nganjëherë duket sikur e keqja më e madhe nuk ka ardhur akoma.

A mund të jetë ky një problem vetëm i klubeve apo thjesht i rolit të drejtorit teknik? Kur duhet të fillojmë ta marrim seriozisht?

Për sa i takon infrastrukturës sportive, mjafton të fokusohemi vetëm në Shkodër, në djepin e kulturës, në qytetin ku futbolli filloi të flasë shqip, ku përfaqësohemi me klubin më të vjetër në Shqipëri, siç është Vllaznia, e cila ka akademinë më të suksesshme ose ndryshe laboratorin, që prodhon futbollistë për të gjithë Shqipërinë dhe ky qytet ka vetëm një fushë sportive, edhe atë me bar sintetik dhe falë kontributit të FSHF-së.

Por a mund të flasim për zhvillim të sportit, kur një nga qytetet më të mëdha në Shqipëri ka vetëm një fushë sportive? Në këtë fushë stërviten 200 fëmijë të akademisë, ekipi i parë dhe ai i femrave.

A mund të flasim për rolin e drejtorit teknik apo zhvillimin e cilësisë së akademisë, kur as pushteti qendror dhe as pushteti lokal nuk kanë akoma një plan konkret për të krijuar qendra të mirëfillta sportive?

Për sa i takon përgatitjes dhe zhvillimit të trajnerëve që merren me moshat, këtu do të theksoja që edhe vetë klubet duhet të bëjnë një punë më serioze për të krijuar kushtet dhe mundësitë e duhura që përgatitja e lojtarëve të rinj të bëhet sipas metodave bashkëkohore.

Ndonëse ka përpjekje të vazhdueshme pranë akademisë së futbollit Vllaznia, kërkohet që edhe trajnerët e rinj të shfaqin ambicien për të pasur sa më shumë rezultate në punën e tyre, ku indikatorët udhëheqës duhet të jenë jo trofetë, por numri i futbollistëve të aftë të përballojnë aktivizimin e tyre në liga sa më cilësore.

Për sa i takon rritjes së besimit, këtu bie dakord me profesor Memën, që klubet dhe sidomos roli aktiv i drejtorit sportiv, ndikojnë së tepërmi për të rritur besimin në zhvillimin e lojtarëve të rinj nëpërmjet vendimeve objektive.

Sa më tepër objektivë të jenë, aq më të motivuar do të jenë lojtarët dhe aq më prurje cilësore do të kemi.

Sigurisht, në këtë pjesë, një rol të rëndësishëm luan edhe Federata Shqiptare e Futbollit në punën e saj me moshat, duke i kushtuar kujdesin maksimal në përzgjedhjen e elementëve, të cilët e meritojnë të grumbullohen në përfaqësueset respektive.

* Autori i shkrimit është drejtor teknik i akademisë Vllaznia.