Besëlidhja e Lezhës, pjesë e grupit A të kategorisë së dytë në futboll, e ka filluar në mënyrën më të keqe të mundshme fazën e dytë të kampionatit, teksa ka humbur thellë 4-1, ndaj skuadrës modeste të Albanëve të shtunen, më 25.01.2025. Humbje e cila është e katërta radhazi për këtë kampionat. Duke shuar pothuajse çdo shpresë për të arritur edhe në Play-Off, pasi vendit të parë i ka dhënë lamtumirën prej kohësh. Duke bërë kështu një rënie të lirë dhe graduale nga vendi i parë, që e nisi në fillimt, në të dytin e kështu me radhë deri në të gjashtin ku ndodhet aktualisht me 17 pikë, vetëm 3 pikë më shumë se Albanët.

Me tre humbje radhazi lezhjanët e mbyllën edhe fazën e parë. Ku kanë humbur 4-1me Sopotin në Librazhd, 0-2 me Luzin në Lezhë, dhe 2-1 me Gramshin në Gramsh, duke pësuar në katër ndeshje plot 12 gola dhe realizuar vetëm 3, dhe shënuar kështu rezultatet më të dobëta të këtij kampionati dhe jo vetëm. Me këto rezultate skuadra lezhjane nga ndeshja në ndeshje ka ardhur në rënie të lirë, duke mundur vetëveten!

Si sportdashës, gazetar dhe komentator sportiv prej afro tre dekadash, ndihem vërtet keq që ekipi Besëlidhja të bie në këto nivele, dhe pa pretenduar të bëj ekspertin apo të anatemoj njeri, mendoj se: Futbollistëve të kësaj skuadre (natyrisht jo të gjithëve) u mungon; dëshira dhe angazhimi, sedra dhe impenjimi, serioziteti dhe përkushtimi, egoja dhe disiplina sportive për të luajtur dhe përfaqësuar denjësisht fanelën e Besëlidhjes, që peshon, madje peshon shumë rëndë, pasi ka brenda saj historinë afro një shekullore të skuadrës, saktësisht 95-vjet.

Natyrisht jashtë përgjegjësisë dhe katandisjes në këtë gjendje të ekipit lezhjan, nuk mund të jetë edhe stafi teknik, që sa nuk është vonë duhet të reflektojë me një analizë të thellë e të detajuar, natyrisht jo për të shpallë armiq apo grupe armiqësore, por për ti shërbyer përmirësimit të menjëhershëm të situatës, duke vendosur si pikë kthese jo ndeshjen e radhës me Murlanin, por ecurinë dhe përfaqësimin dinjitoz të ekipit në vijim të këtij kampionati.

* Gazetar në Panorama Sport dhe komentator sportiv në Radio-Tirana, në emisionin; “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.