Opinion nga BESNIK DIZDARI

Kjo përvojë sovjetike ka qenë një ndër përvojat më me vlerë në futbollin shqiptar. Kampionati i “Rezervave” i ka shpëtuar futbollit shqiptar kushedi sa lojtarë, të cilët duke qenë se nuk mund të ishin titullarë, luanin me “Rezervat”. Partizani i Ushtrisë Popullore të asokohshme, i cili ishte i pamëshirshëm në rrëmbimin e lojtarëve të skuadrave të qyteteve, është klubi i cili ka fituar më shpesh se askush kampionatin e “Rezervave”. Dhe ka ndodhë që prej këtij kampionati të “Rezervave” kanë shkuar shumë lojtarë të formuar te skuadrat e tjera. Madje, deri edhe te 17 Nëntori i famshëm i mesit të viteve ’60 apo te Vllaznia, Teuta, Skënderbeu, Flamurtari e Besa.
Sot, me numrin e madh të skuadrave të qyteteve e qytezave shqiptare në katër kategori, një kampionat i “Rezervave” ndoshta ndër ne nuk ka fort kuptim. Ndonëse ka një fakt të çuditshëm: Rusia, prej së cilës ne e patëm marrë këtë lloj kampionati, në vitet ’50 e ’60, e zhvillon edhe sot! Dhe nuk po i del fort keq. Por që skuadrat më të traditës së futbollit shqiptar të kenë edhe skuadrat e tyre të dyta në kampionatet e kategorive të tjera, kjo më duket e domosdoshme. Madje sot kjo është një traditë e futbollit perëndimor. Në Bundesligën e Tretë të Gjermanisë janë Borusia Dortmund B dhe Shtutgart B. Dhe vështroni se sa janë në Regional Liga (Kategoria 4) të Gjermanisë: Bayern B, Volsburg B, Hanover ’96 B, Verder Bremen B, Hamburg B, Herta B, Shalke 04 B, Borusia Mënshengladbah B, 1FC Koln B, Kaiserslautern B, Eintracht Frankfurt B e të tjera e të tjera. Nuk po shkojmë te Spanja, e cila Barcelonën B e ka jo në Kategorinë 4, por në të atë 2!
Partizani B është vërtet një risi befasuese për stadin e sotëm të futbollit shqiptar. Ky është shembulli më i spikatur i kësaj stine shqiptare 2013-2014. Sepse i bën të shpresojnë futbollistët, të cilët, duke qenë se kalojnë moshën e të rinjve, mund të rrezikojnë të zhduken nga fushat e blerta.
Dalim kështu te tema e këtij editoriali: mbështetja te talentet vendëse. Dalim te shembulli po kaq kuptimplotë i këtyre ditëve që na japin pesë javët e para të kampionatit kombëtar 2013-2014. Kësisoj, kisha me thënë, se më fort se ngjitja e Vllaznisë së Shkodrës në dyshen kryesuese së bashku me Teutën, dukuria e mbas pesë javëve të para të këtij kampionati qëndron jo thjesht te ky kryesim, por te përbërja e formacionit shkodran.
Të shtunën Vllaznia fitoi 3-0 kundër KF Laçit – një prej skuadrave sot më të forta të kampionatit, duke pasur në fushën e lojës vetëm 3 djem të ardhur prej një futbolli të huaj dhe plot 11, të cilët kanë lindë dhe janë formuar në farishten e pashtershme të Shkodrës. Dhe pavarësisht se çfarë mund t’i ndodhë në ndeshjen e kësaj të mërkure me kampionët e Skënderbeut, në këto pesë javë të fillimit Vllaznia ka dhënë një shembull me vlerë: e ka nisur me sukses kampionatin duke u mbështetur te futbollistët e shkollës së saj, asaj shkodrane, e cila dihet se çka i ka dhënë futbollit kombëtar.
Nuk mund të them se gjithë këto vitet e fundit Shkodra ka ditur t’i shfrytëzojë si duhet talentet e saj. Kujto për një çast vetëm këta 6 emra: Salihi, Lika, Teli, Sukaj, Bala, Vajushi. Nëse do ta kishte ruajtur për vete këtë gjashtëshe të fanellës së Kombëtares, vështirë se do të kishte qëndruar ende në këmbë “rekordi” i pakëndshëm i 12 vjetëve pa asnjë titull të kampionit të mosfituar prej Vllaznisë.
Tash e rëndësishme është se Vllaznia kërkon të sfidojë me lojtarë shkodranë. A është kjo diçka e diktuar prej nevojave të çastit apo një strategji sfiduese në vazhdim, këtë nuk e di. Po aq nuk e di nëse e gjithë kjo dukuri është largpamësi e trajnerit Canaj apo e atyre që drejtojnë lëvizjen futbollistike në Shkodër. Ajo që si autor i këtushëm unë di, është kjo tjetra: besimi te talentet shkodrane nuk mund të humbasë te Vllaznia.
Dhe vetëm me 3 joshkodranë në 5 ndeshje radhazi në dyshe të kampionatit me 1 pikë më pak se Teuta e sprovuar. Jovendës janë Vujadinoviç, Rajoviç dhe Bushiç – në të vërtetë njeri më i mirë se tjetri. Dy prej të cilëve nga Mali i Zi, me të cilin sidomos në vitet ’20 dhe ’30 futbolli i ndërdyanshëm ka pasur një rrugëtim tejet të përbashkët. Kampionati i parë i futbollit që njihet në Shqipëri është ai i Shkodrës i mesit të viteve ’20 të shekullit të shkuar dhe së bashku me skuadrat shkodrane ka marrë pjesë edhe klubi i mirënjohur malazez Crnogorac i Cetinës.
Ndërkaq, në ndeshjen e së shtunës me Laçin, përbërja e shkodranëve qe vërtet për t’u studiuar. Dy lojtarë mbi 30- vjeçarë, Beqiri e Belisha, por plot 7 lojtarë nën 24 vjeç, prej të cilëve dy 20-vjeçarët Kruja e Dema. Dhe kujtoj se në këtë kampionat skuadra shkodrane ka aktivizuar edhe 4 djem të tjerë 23, 22 e 20- vjeçarë, çka do të thotë se prej 18 lojtarëve të saj të cilët kanë dalë në fushën e lojës në këto 5 javë, plot 15 janë të shkollës shkodrane.
Ky është një sukses më i madh sesa vetë kreu i vendit të dytë për Vllazninë. Dihet, për të kaluar një krizë shumëvjeçare, mund të rifillosh duke u mbështetur te lojtarët më të mirë ngado që të vijnë ata. Si në rastin e Skënderbeut, i cili me një skuadër “jokorçare” i ktheu Korçës lavdinë e futbollit kombëtar – 3 herë rresht kampione e Shqipërisë. Apo edhe të Kukësit i ardhur brenda tri sezoneve nga Kategoria e 3- të dhe rrufeshëm Nënkampion i Shqipërisë, madje i sapopërshkuar në katër ture të Europës! E pra, në qoftë se kjo dukuri korçare nuk do të ketë ndikimet e saj të mira në shkollën korçare të formimit të futbollistëve vendës, ahere mund të rrezikojmë që lavdia përsëri të humbasë. Po kështu, nëse skuadra e Kukësit nuk do të ketë ndikimin e saj të madh në zhvillimin e futbollit në qytet, edhe katër turet europiane të saj mund të fundosen në arkivin e një historie të shkuar.
Atëherë? Sa qëndrojnë në këmbë shkollat apo rrymat e futbollit shqiptar, sado modeste qofshin ato? Ku është shkolla e famshme e Sportklub Tiranës apo 17 Nëntorit të dikurshëm, me lojtarët e së cilës mbaheshin edhe Partizani e Dinamo? Po ajo e Kavajës dhe e Elbasanit, sa për të përmendur vetëm dy a tri? Dhe, a e shihni se ç’po heqin këto skuadra, të cilave krejt papritmas këto javë iu bashkua edhe rënia apo shterimi i Sportklub Tiranës, 17 Nëntorit pra, fabrikës së vjetër të prodhimit të talenteve të panumërt të futbollit shqiptar!
Vllaznia fitoi të shtunën 3- 0 ndaj Laçit, duke treguar jo një futboll të klasit aq të lartë, por duke treguar një futboll kolektiv dhe mbi të gjitha të stilit teknik e harmonioz karakteristik shkodran. Tre golat janë të nivelit të lartë: veprime taktike gati të përkryera, zgjuarsi dhe përfitim krejt i plotë prej gabimeve të kundërshtarit. Sepse dihet, çdo gol përmban brenda tij zotësinë e shënuesit dhe gabimin e pësuesit. Nuk më duket se loja e shkodranëve ka një ritmikë të lartë. Them se ka rini megjithatë, e cila e shtyrë prej përvojës së 3-4 lojtarëve si Vujadnoviç, Beqiri apo Belisha, duket se edhe tek ajo po lind një futboll shpresues. Dhe mû kjo është më e rëndësishme sesa vetë gara për titullin kampion, që nuk besoj se i takon kaq shpejt të nxitet, qoftë edhe për mëtuesen e re me emrin e vjetër Vllaznia.
Interesante është ndërkaq se skuadra shkodrane ka qenë për herë të fundit në krye të renditjes më 12 shtator 2010, mbasi, ashtu si sot, kishte fituar në Shkodër 2-1 po me skuadrën e Laçit. Të shtunën në fushën e lojës prej të 14-ve, vetëm 5 emra ishin përsëri: Vujadonoviç, Sykaj, Rajoviç, Shtubina dhe Belisha. Sa fort ndërrojnë skuadrat shqiptare brenda periudhave shumë të shkurtra! Doemos që kjo ngjet edhe për shkak te mosmbështetjes sa duhet te lojtarët vendës.
Ta do mendja se kryesimi i Teutës zëpake e punëmadhe, duke ndjerë pranë hapat dhe befasues të Vllaznisë (para fillimit askush nuk e mendoi si kryesuese) i ka dhënë kampionatit një bukuri të fillimit. Mbas rezultateve të kësaj jave, duket qartë që kryesimi mund të ndërrojë nga java në javë. Janë 8 skuadra në largësi të vetëm në deri 3 dhe 4 pikë, çka do të thotë se kësisoj, ato mund të alternojnë thuajse rrufeshëm kreun e renditjes. Dhe vështroni se çka do të kemi brenda kësaj jave; Do të kemi Vllaznia – Skënderbeu, Lushnja – Teuta, Kukësi – Partizani, Flamurtari – Bylis, që do të kulmojnë me Teuta – Vllaznia. Dhe nuk harrojmë: në pesë javë kryesuesja ka vetëm një emër: Teuta e Durrësit e Gugash Maganit. Për fat, as tek ajo nuk
sundojnë lojtarët e shkollës durrsake. Dhe nuk dimë se sa e si mund të rezistojë përballë saj Vllaznia e shkodranëve…
Dhe po e mbyll, duke e mbështetur fort Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila ka shkurtuar numrin e lojtarëve të huaj në skuadrat tona. Bukur! Presim vendime të tjera. Them se ky numër duhet shkurtuar edhe më shumë se kaq. Aq më tepër që në Shqipëri nuk vijnë yje të botës së huaj, por lojtarë mesatarë. E pra, a duhet që lojtarët e huaj mesatarë t’u zënë vendin talenteve shqiptare, aq sa ata janë?…
Partizani B dhe Vllaznia “shkodrane” na ftojnë për ndryshime.