Trajneri shkodran Armando Cungu nuk ka duruar më. Pasditen e sotme, menjëherë pas ndeshjes ë humbur me Partizanin, ai ka deklaruar dorëheqjen e tij nga drejtimi i skuadrës kukësiane. Në fakt kishte ditë që pritej kjo gjë. Edhe vetë ai e kishte kuptuar se gjërat nuk po i shkonin ashtu siç duhej. Për këtë arsye ka vendosur të thotë STOP. Ecuria e skuadrës nuk ka qenë ajo e pritshmja. Në 6 javë kampionat vetëm 7 pikë të grumbulluara dhe në një situatë të tillë drejtuesit e klubit kishin kohë që ushtronin presion. Skuadra në fakt ishte e lodhur nga pjesmarrja në Kupat e Europës. Lojtarët e ardhur në merkaton e verës nuk sollën asgjë tek kukësianët përkundrazi loja e tyre ra ndjeshëm.


Në kushte të tillë, trajneri që hyri në histori me këtë skuadër duke shkuar deri në turin e katërt të Kupave të Europës, ka vendosur të dorëhiqet. Natyrisht duke marrë përsipër mbi vete gjithçka por nga ana tjetër ka garantuar se ky Kukës do të shkojë larg edhe në sezonin e ri. Cungu në fakt ka bërë të ditur se ka dashur të largohet nga kjo skuadër që pas ndeshjeve europiane por atëherë kampionati ka qenë në prag dhe skuadra do kishte probleme. Megjithatë pas gjashtë javësh, ai largohet njëherë e mirë nga ky ekip por duke lënë pas një karrierë shumë të suksesshme me vendin e dytë në kampionatin e kaluar dhe shkuarjen deri në turin e katërt në Europë.Kaq mjafton për të treguar se Cungu “e ka fituar bastin” e tij me këtë skuadër.
Gjergj KOLA