Trajneri I Vllaznisë Agim Canaj ka kërkuar drejtësit nga gjyqtarët e ndeshjes së sotme kundër Skënderbeut. Ai nuk ka folur shumë për bluzat e zeza por më shumë ka “shënjestruar” kundërshtarin e sotëm teksa duke folur për këtë sfidë ka thënë: “Ne jemi përgatitur seriozisht për këtë ndeshje. Mund t’ia dalim ta fitojmë por kuptohet se ajo që kërkojmë është drejtësia në fushë. E them këtë ngaqë Skënderbeu dihet se është një skuadër që favorizohet nga arbitrat. Më gjeni një rast në këto tre sezonet e fundit që korçarët që janë ankuar për gjyqtarët?

Nëse ma gjeni, ju detyrohem çfarë të doni. Këtë e them me bindje të plotë sepse e di si funksionojnë disa gjëra në futbollin shqiptar. Kam kaluar deri tani 10 presidenta në skuadra të ndryshme të kampionatit shqiptar dhe mund të them me bindjen e plotë se Vllaznia është më e pambrojtura. Prandaj dhe ajo çfarë kërkojmë ne është vetëm drejtësia në fushën e lojës, asgjë më shumë”. Ai e ka thënë hapur pretendimin e tij. Ndoshta ngaqë në katër nga pesë ndeshjet e deritanishme, ka patur probleme në gjykim dhe kryesisht ndaj kuqebluve. Pavarësisht kësaj, Canaj dhe futbollistët e tij janë përgatitur ashtu siç duhet për ndeshjen e sotme me ato mundësi që ka patur. Positive është se skuadra është e plotë për këtë ndeshje pasi tashmë Gocaj është I rikuperuar plotësisht dhe po ashtu edhe Baci e ka lënë pas pezullimin katër javor të dhënë nga Disiplina. Por nga ana tjetër skuadra shkodrane nuk është në formën e saj më të mirë fizike. “Nuk jemi rikuperuar aq sa duhet. Kemi patur vetëm tre seanca në dispozicion dhe në to jemi munduar të bëjmë maksimumin por kuptohet që ka shenja lodhje për vetë ngarkesën që kanë patur futbollistët gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht gjithë këtyre gjërave, ne kemi treguar se nëse luajmë me grintë dhe karakter mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari dhe prandaj shpresoj të ndodhë kështu edhe këtë herë ndaj Skënderbeut”- ka thënë më tutje Canaj. Nga ana tjetër, tashmë çdo gjë duket gati për këtë ndeshje. Ende nuk dihet se cili do jetë formacioni që do luajë në këtë ndeshje megjithatë detyra e atyre që do jenë në fushë është e qartë: të mundin kampionët. Në fakt në rradhët e Skënderbeut ka shumë entuziasëm për përsëritjen e një rezultati si ai 3-1 I ndeshjes së parë të sezonit të kaluar po në Shkodër. I pyetur për këtë besim të tepruar të futbollistëve kampionë në fuqi, trajneri Canaj ka thënë: “Unë shpresoj shumë që korçarët të vijnë me këto mend në kokë për një fitore të sigurtë të tyre. Kjo është e drejtë e tyre por ne do bëjmë punën tonë për të kërkuar fitoren. Në pamje të parë nuk jemi të barabartë si nga përbërja e lojtarëve si nga mbështetja financiare por kemi në anën tonë grintën dhe karakterin si dhe besoj që do të kemi edhe një mbështetje të zjarrtë të tifozëve tanë që në këtë ndeshje jam I sigurtë se do jenë të shumtë. Kjo nuk do të thotë se do t’I neglizhojmë kampionët, përkundrazi. Ata janë një skuadër vërtetë e fortë si nga përbërja, ashtu edhe nga mbështetja e fuqishme që kanë në të gjitha drejtimet”. Tashmë gjërat janë të qarta. Vllaznia do kërkojë të ruajë serinë e rezultateve positive edhe pas kësaj ndeshje. E vështirë do jetë por jo e pamundur. Sot kuqeblutë mund të jenë të parët në renditje megjithatë ato nuk nisen nga kjo gjë. Duan të ruajnë vazhdimësinë e lojërave të mira dhe të rezultate positive.
Gjergj KOLA