Shkruar nga Gjergj KOLA
Përvjetorë të ndryshëm na rikthejnë sërish tek emra e figura që i kanë bërë nder Shkodrës dhe Shqipërisë. Njëri ndër ta është edhe Gjon Simoni. Një figurë shumë e spikatur dhe shumë e dashur për të gjithë, padyshim që ka qenë Gjon Simoni. Për 34 vite me radhë ai punoi si mësues i edukimit fizik në shkolla të ndryshme të Shkodrës.
Ndërkohë, në vitet 1981–1985, ka punuar si përgjegjës i terreneve sportive pranë Klubit Vllaznia. Njëkohësisht, për 15 vite me radhë ka qenë arbitër futbolli i kategorisë së parë, si pjesë e Kolegjiumit të Arbitrave të Shkodrës, së bashku me emra të tjerë si Tahir Kalaçi, Xheudet Isufi, Adem Halili, Tef Prela, Emrush Dani, Mark Pashku, Kol Pogu, Genc Agolli, Gëzim Voti, Qerim Sulejmani etj.
Por, përveçse si arbitër futbolli, Gjon Simoni për 10 vite të tjera ka qenë arbitër çiklizmi i kategorisë së parë dhe, për 10 vite të tjera, arbitër i kategorisë së dytë.
Pas daljes në pension dhe deri në momentin kur ndërroi jetë, Gjon Simoni punoi si shitës pranë llotarive sportive. Ai la pas një emër shumë të mirë, si një drejtues i aftë, një arbitër i ndershëm dhe një mësues shumë i dashur për të gjithë nxënësit.
U ndalëm sot te ky personalitet, sepse përkon me ditën e lindjes së tij, 1 korrik 1935. Kjo do të thotë se, nëse do të ishte gjallë, sot do të festonte 91-vjetorin e lindjes. Megjithatë, prej disa vitesh ai nuk është më mes nesh, por kjo nuk na pengon ta kujtojmë me respekt dhe mirënjohje për kontributin e madh që dha ndër vite për sportin shkodran dhe atë shqiptar.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


