Shkruar nga Endri ÇINARI
Alarmi te Vllaznia nuk lidhet me repartin ofensiv, por me prapavijën. Nëse sulmi ka dhënë sinjale pozitive gjatë fazës përgatitore, mbrojtja vazhdon të jetë pika më e dobët e skuadrës shkodrane. Miqësoret e zhvilluara deri tani kanë nxjerrë në pah probleme të theksuara në aspektin defensiv, me kuqeblutë që po pësojnë gola me një lehtësi shqetësuese.
Shifrat flasin qartë. Në pesë ndeshjet miqësore të luajtura deri më tani, Vllaznia ka pësuar plot 17 gola, mesatarisht më shumë se tre për çdo takim. Një bilanc që vështirë se mund të konsiderohet normal për një skuadër që synon të luftojë në të gjitha kompeticionet dhe që shumë shpejt do të përballet me sfidat zyrtare të sezonit.
Golat e pësuar kanë ardhur në të gjitha testet e verës. Fillimisht në barazimin 1-1 ndaj Deçiçit, më pas në humbjen e thellë 4-0 përballë Olimpija Ljubljanës, në disfatën 4-2 kundër Koperit, në fitoren spektakolare 6-3 ndaj Rudesit, si edhe në humbjen e fundit 5-2 përballë Argeșit. Një bilanc që tregon se pavarësisht kundërshtarëve të ndryshëm, problemet në fazën mbrojtëse kanë qenë të pranishme në çdo takim.
Trajneri dhe stafi teknik kanë ende kohë për të ndërhyrë, por është e qartë se gjetja e ekuilibrave në prapavijë mbetet një nga prioritetet kryesore. Gabimet individuale, mungesa e koordinimit dhe hapësirat e lëna në mbrojtje kanë penalizuar vazhdimisht ekipin, duke zbehur edhe paraqitjet e mira në fazën sulmuese.
Me ndeshjet zyrtare që afrohen, Vllaznia nuk mund të lejojë të ruajë të njëjtin ritëm të golave të pësuar. Për të qenë konkurruese në kampionat dhe në arenën europiane, skuadra shkodrane duhet të gjejë sa më shpejt balancën mes sulmit dhe mbrojtjes, pasi aktualisht prapavija mbetet shqetësimi më i madh i kuqebluve.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


