Kampionati i “Abissnet Superiore” do të rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 12-të dhe Vllaznia do të udhëtojë drejt Tiranës për t’u ndeshur me Partizanin në stadiumin “Air Albania”.
Pas kësaj jave ndërkohë kalendari parashikon një përballje Vllaznia- Laçi, e planifikuar për t’u luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” më 28 nëntor. Megjithatë gjasat janë që ky takim të mos luhet në këtë impiant sportiv.
Arsyeja është se fusha e stadiumit të Shkodrës është mbjellur fundjavën që shkoi dhe për daljen e barit të ri duhet një periudhë kohore prej të paktën 2-3 javësh, por gjithçka varet edhe nga kushtet atmosferike.
Reshjet e shumta të shiut që janë duke rënë gjatë ditës së sotme, por që priten edhe në vazhdim, nuk janë diçka e mirë dhe kjo e vë në diskutim serioz të luajturit e ndeshjes me Laçin në Shkodër. Gjithsesi në ditët në vijim mund të ketë më shumë informacion për këtë gjë, duke parë gradualisht edhe si do të shkojë puna.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


