Ndalet Vllaznia dhe përsëri në Shkodër. Për të dytën herë në këtë kampionat pas asaj me Flamurtarin në javën e parë. Ka ndodhur kështue dhe ditën e djeshme teksa është mundur 1-3 nga Skënderbeu. Tre golat e pësuar, karshi vetëm një të tillë të shënuar, kanë bërë që shkodranët të humbasin pozicion edhe në renditje.Ndeshja nis e hapur, me sulme dhe kundërsulme nga të dyja palët. Korcarët dalin shpesh në kundërsulm nga e majta, ku vepron Muzaka, i cili kroson topat në qendër të zonës kuqeblu, për te sulmuesi i vetëm, Pejic. Aty ka punë Semina dhe Rajovic, që arrijnë ta neutralizojnë shtatlartin kroat. Brenda 10 minutave të para të ndeshjes, Skënderbeu fiton tri goditje nga këndi, që nuk sjellin rezultat, ndërkohë që momentin e artë për t’i zhbllokuar shifrat e ka Shtubina në minutën e 7-të. Asistin e mrekullueshëm që ka marrë nga Hajdari, mesfushori shkodran nuk e dërgon dot në rrjetë, vetëm pesë metra përballë portierit Shehi, i vetëm me këtë të fundit.Në minutën e 26-të, Elvin Beqiri merr një pasim të zgjuar nga Tafili, që ia ka rrëmbyer topin Shkëmbit në gjysmëfushën korcare, gjendet i vetëm me portierin Shehi, por kapiteni kuqeblu gabon shënjestrën. Një tjetër rast ideal i shpërdoruar nga kuqeblutë. Dhe po nuk shënove do ta pësosh, është ky ligji i pashkruar në futboll. Vjen minuta e 29-të. Pejic merr një top pas krahëve të mbrojtjes shkodrane, e cila aplikon pozicionin jashtë loje, por kroati vihet në zotërim të topit dhe shënon në portën e Vllaznisë. Kontestojnë lojtarët kuqeblu për pozicion jashtë loje, por arbitrat nuk janë të këtij mendimi. Kampionët e shohin veten në epërsi, ndërkohë që goleadori kroat duket se është zhbllokuar tashmë. Pas golit ndaj Lushnjës, vijnë dy të tjerë radhazi në “Loro Borici”. Sepse në minutën e 38-të është sërish kroati, ai që dyfishon shifrat për miqtë. Kundërsulm i shpejtë i skuadrës korcare, pas një goditjeje këndi të Vllaznisë. Ribaj përparon me shpejtësi dhe pason në fund për Pejic. Kroati nuk gabon, por e dërgon topin në shtyllën e majtë dhe në rrjetë. Pjesa e dytë nis me një zëvendësim të menjëhershëm te Vllaznia. Trajneri Canaj ul në stol Gocajn, i rikthyer nga dëmtimi, duke besuar te vlerat e të riut Kruja, mjaft efikas në sfidat pararendëse. Duhej të vinte minuta e 53-të, kur Vllaznia të ngushtonte rezultatin e ndeshjes dhe praktikisht të rihapte gjithcka. Arsen Hajdari ndërmerr një veprim indiviual nga e majta e sulmit shkodran, futet disi më në qendër dhe pa hezituar godet nga rreth 13 metra largësi. Topi i drejtohet trekëndëshit të Shehit, që s’ka cfarë të bëjë, vecse ta nxjerrë atë nga rrjeta. Kuqeblutë dhe tifozëria e tyre e shumtë në numër marrin zemër, por në momentin e tyre më të mirë ndëshkohen sërish. Eshtë minuta e 60-të, kur zhvillohet një dyluftim mes Pejicit dhe Rajovicit në vijën anësore, që lë të dëmtuar mbrojtësin malazez të kuqebluve, i shtrirë përtokë. Megjithatë, loja vazhdon nga korcarët, teksa Orelesi përparon në të majtë të sulmit, kroson në qendrën e zonës vendëse, aty ku Muzaka zhytet me kokë dhe shënon golin e tretë. Më pas nuk ka më ndeshje. Skënderbeu fiton 3-1 dhe Vllaznia ndalet kësisoj për të dytën herë në fushën e saj.
Vllaznia- Skënderbeu  1-3
Vllaznia: Vujadinoviç, Beqiri, Sykaj, Rajoviç (Demaj 82’), Semina, Tafili, Belisha , Gocaj(Kruja 46’),  Shtubina (Gjini 85’), Hajdari, Busiç. Tr. A.Canaj
Skënderbeu: Shehi, Radas, Bicaj, Gvozdenoviç, Arapi, Abazi (Ribaj 18’), Orelesi, Lilaj, Shkëmbi (Dimo 89’), Muzaka (Fagu 92’), Pejiç. Tr. M.Josa
Gyqtarë: B.Pashaj (Tiranë), G.Koka, R.Çokaj (Lezhë)
Shënues: Hajdari 53’/ Pejiç 29’, 39’, Muzaka 60’
Kartoni I verdhë: Semina, Tafili /Lilaj ,Bicaj, Radas, Orelesi