Ndeshja mes Basanias dhe Tërbunit nuk do të luhet ditën e sotme siç ishte planifikuar. Sfida është shtyrë për ditën e hënë, në orën 13:30 në Bushat, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe me dakordësinë e plotë të dy klubeve veriore.
Pas sfidës së luajtur në mesjavë ndaj Korabit për Kupë, vëmendja e pukjanëve është rikthyer plotësisht te kampionati dhe transferta me Basanian. Tërbuni synon me çdo kusht një rezultat pozitiv në këtë përballje mjaft të rëndësishme.
Në dy ndeshjet e para të kampionatit, pukjanët kanë grumbulluar vetëm një pikë, si rrjedhojë e një barazimi dhe një humbjeje, ndaj kërkojnë kthesën e madhe. Drejtuesit dhe lojtarët janë të vendosur për ta vulosur këtë takim me fitore.
Nga ana tjetër Basania i ka bërë një nisje më të mirë kampionatit duke grumbulluar 4 pikë në 2 ndeshjet e para, falë fitores ndaj Eagles dhe barazimit në transfertë me Gramshin. Si rrjedhojë pritet të jetë një përballje shumë e luftuar ku të dy ekipet do të kërkojnë me çdo kusht fitoren.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


