Vllaznia në futboll për femra ka prezantuar sot tre blerje të reja. Bëhet fjalë për tre futbolliste të kombëtares së Kamerunit që do jenë tashmë pjesë e skuadrës shkodrane. Prezantimi i tyre është bërë paraditen e sotme në zyrat e klubit nga dy drejtuesit e lartë të tij Fatos Gjyrezi dhe Armir Grima si dhe nga presidenti i këtij ekipi, Lazër Matija. Ka qenë ky i fundit ai që ka folur i pari duke shpjeguar edhe arsyet pse janë bërë këto përforcime. “Këto përforcime prandaj janë duke u bërë që Vllaznia të ecë e sigurtë drejt shpalljes kampione e Shqipërisë. Janë tre futbolliste të kombëtares kamerunase që vetëm një vit më parë kanë qenë pjesë e saj në Lojërat Olimpike që u zhvilluan në Londër. Nga ana tjetër edhe administratori i klubit Fatos Gjyrezi në një fjalë të shkurtër para mediave ka shpjeguar vëmendjen që klubi po tregon edhe ndaj futbollit të femrave duke shprehur besimin e plotë se ky ekip do të sjellë një tjetër titull kampion sivjet. “Bashkëpunimi me presidentin e këtij ekipi Lazër Matija ka qenë shumë i frutshëm deri tani dhe të shpresojmë që ai të shoqërohet edhe me një tjetër titull kampion për Vllazninë. Këto investime prandaj po bëhen dhe unë kam shumë besim se shpejt do të vijë edhe suksesi”. Futbollistet Isis, Bebe dhe Ada, janë të moshës 20-23 vjeç dhe luajnë në repartet e mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit. Madje sot pasdite ka mbërritur edhe një portiere po nga Kameruni dhe tashmë duhet parë se cila prej tyre nuk do federohet ngaqë rregulli i FSHF-së lejon vetëm 5 futbolliste të huaj por pjesë e Vllaznisë aktualisht janë edhe dy futbolliste malazeze. Gjithsesi blerjet e reja të Vllaznisë do të debutojnë me të në ndeshjen e së shtunës ndaj ekipit Tirana AS që është edhe konkurrenti kryesor i ekipit shkodran në luftën për titull, ndeshje kjo që do të luhet në orën 14.00 në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.

Gjergj KOLA

Presidenti i ekipit te Vllaznise per femra Lazer Matija duke prezantuar sot tre blerjet e fundit, tre futbollistet e kombetares se Kamerunit.