Ekipi i basketbollit të meshkujve ka arritur ta fitojë edhe ndeshjen e dytë të kampionatit, atë të luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ndaj Apolonisë. Siç dihet kjo e fundit në mungesë të një pallati sporti në Fier, i luan ndeshjet e saj në Durrës. Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje ka qenë 87-59 për Vllazninë. Në këtë mënyrë, djemtë e trajnerit Bledar Gjeçaj arrijnë një tjetër fitore në kampionat pas asaj fitoreje shumë të thellë me 67 pikë diferencë që arritën në javën e parë ndaj Elbasanit. Kësisoj nisja duket e mbarë megjithatë tashmë duhet parë ecuria në javët e ardhshme. Vllaznia do jetë një nga skuadrat pretendente për titullin kampion bashkë me Kamza Basket e Tiranën. Megjithatë është vetëm fillimi i kampionatit dhe sigurisht që do duhet parë ecuria në javët e ardhshme. Shkodranët kanë bërë sërish një investim serioz edhe këtë kampionat duke marrë dy basketbollistët malazezë Gjokoviç e Krivokapiç si dhe duke kthyer shkodranin Nikolin Arra që ka luajtur sezonin e kaluar me Tiranën.
© shkodrasport.com