Dhimbje koke për stafin teknik të Vllaznisë. Mbrojtësi malazez, Blazho Rajoviç, do të mungojë nesër ndaj Teutës, por kjo është më e pakta, pasi lojtari rrezikon të mbetet për një periudhë të gjatë jashtë fushave. Kjo ngaqë ai ka dëmtuar ligamentet e gjurit të djathtë. Kjo ka rezultuar pas verifikimit të rezonancës magnetike që ai ka zhvilluar paraditen e djeshme në Tiranë e për pasojë, me shumë të ngjarë futbollisti është i detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Kjo mund ta lërë atë rreth 6 muaj larg fushës së blertë. Dëmtimi ka ardhur gjatë një përplasjeje me sulmuesin e Skënderbeut, Pero Pejiç, në ndeshjen e së mërkurës, teksa mbrojtësi doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 62-të. Mungesa e Rajoviçit është një problem më vete për trajnerin Canaj. Tashmë vlonjati i pankinës së Vllaznisë do të bëjë ndryshime në mbrojtje. Pritet që të ketë një spostim të Seminës ose Beqirit në qendër. Këta të fundit kanë luajtur në krahët e mbrojtjes deri më tani. Sipas të gjitha gjasave, Semina do të rikthehet në qendër dhe në vend të tij do të aktivizohet si mbrojtës i majtë, Alis Boci, i rikthyer nga pezullimi. Megjithatë, ka edhe një variant, që Olsi Gocaj mund të luajë në të djathtë të mbrojtjes dhe në qendër të spostohet Beqiri.

© shkodrasport.com