Në kampionatin italian, numri i futbollistëve shqiptarë është gjithmonë në rritje dhe te Palermo janë dy talente kuqezinj. Masimiliano Doda dhe Erdis Kraja janë dy futbollistë të cilët janë kthyer në protagonistë te skuadra siciliane dhe synojnë të rikthejnë emrin e Palermos në elitën e futbollit italian.

Kraja eshte nga Shkodra dhe karrieren e tij e ka nisur ne fakt tek Vllaznia para se te kalonte ne Itali. Ai ka dhënë një intervistë për mediat italiane dhe ka folur për marrëdhënien e tij me patriotin Masimiliano Doda si edhe numrin e shumtë të shqiptarëve që jetojnë në Sicili. Ai shtoi se do të bëjë një vizitë në “Piana degli Albanesi”, komunë arbëreshe.

“Jemi bashkuan në një skuadër të madhe dhe Palermo na ka pritur sikur jemi shokët e tyre prej vitesh. Unë kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë, por me Dodën kam luajtur edhe në ekipin Kombëtar dhe e njohim mirë njëri tjetrin. E di që në Sicili ka një numër të madh shqiptarësh dhe ndoshta do të bëjmë një xhiro nga “Piana degli Albanesi”. Po e gjej veten time shumë mirë”, u shpreh fillimisht 19-vjeçari.

Kraja është i bindur se me grupin aktual, ngjitja në Serinë C dhe më pas më lart, është vetëm çështje kohe. Mesfushori 19-vjeçar që ka gjetur edhe rrugën e rrjetës këtë sezon ashtu si Doda, u shpreh se një mbështetje të madhe po marrin edhe nga tifozeria.

“Tifozeria është diçka e pabesueshme këtu dhe mund të konsiderohet futbollisti i 12 në fushë. Duam vazhdimësi dhe të bëjmë të qartë se Palermo nuk mund të presë por do të ngjitet shumë shpejt në C edhe pse ka vështirësi. E prisnim një nisje të tillë me 8 fitore radhazi sepse duke parë skuadrën dhe stafin që kemi, nuk mund të ketë surpriza.

Të fitosh është gjithmonë e vështirë si kundër një skuadre që mund të quhet Real Madrid, ashtu edhe kundër një skuadre në vendin e fundit në klasifikim. Ne duam të marrim të tjera fitore dhe të vazhdojmë të bëjmë mirë”, u shpreh Kraja mes të tjerash. /VipSport/