Skuadra e Vllaznisë është mundur edhe sot në ndeshjen e rradhës, atë që ka zhvilluar në Kavajë me Teutën me rezultatin 2-3. Por më shumë sesa një aftësi e durrsakëve për ta fituar ndeshjen, ashtu si dhe ndaj Skënderbeut në mesjavë, fatin e ndeshjes e kanë vendosur gabimet elementare të mbrojtjes kuqeblu. Durrsakët janë më kërkues në startin e lojës, duke qenë në udhëheqje të topit në pjesën e parë, derisa gjejnë edhe golin me Daniel Xhafajn në minutën e 18-të. Reagojnë kuqeblutë e Canajt, që bëjnë cmos për t’i barazuar shifrat, përmes daljes së Krujës dhe Bushicit në kundërsulm, por për këtë fraksion loje nuk ka gol tjetër. Teuta shkon në pushimin 15-minutësh mes dy pjesëve në avantazhin minimal. Udhëzimet e trajnerit Canaj kanë ndryshuar shumë gjëra te Vllaznia, e cila del me mendje të mbledhur në pjesën e dytë. Shkodranët e spostojnë lojën në gjysmëfushën durrsake, duke mundësuar edhe barazimin në minutën e 54-t. Është pikërisht sulmuesi Bushic, ai që e dërgon topin në rrjetën e Rizvanit, duke rihapur gjithcka. Nuk vonon shumë dhe i njëjti lojtar e kalon Vllazninë në avantazh Bushic në minutën e 62-të, duke i goditur jo pak psikologjikisht durrsakët. Ata nuk e marrin veten për rreth 10 minuta, çka nis me gafën e Rizvanit në rastin e golit të dytë të kuqebluve dhe vijon deri në momentin kur Magani vendos të hedhë në lojë Mancakun. Ky i fundit e ndryshon tërësisht lojën e të tijve, i jep frymëmarrje asaj dhe asiston në dy golat e përmbysjes së Teutës, që eviton kësisoji një disfatë të mundshme në Kavajë dhe merr tri pikë të tjera, që e mbajnë në krye të klasifikimit, bashkë me Skënderbeun. Tek Vllaznia, goli i dytë dhe i tretë kanë ardhur si pasojë e gabimeve fatale në mbrojtje, çka ndikuan në humbjen përfundimtare të kësaj ndeshje.
© shkodrasport.com