Dy humbjet radhazi me Skënderbeun dhe Teutën, duket se kanë sjelle mjaft problematika te Vllaznia. Për më tepër, humbja me durrsakët duket se nuk do të kapërdihet lehtë. Madje pas takimit, drejtuesit kuqeblu kanë qenë të papërmbajtur në fjalët e tyre drejtuar lojtarëve. I shigjetuar në këtë drejtim ka qenë pikërisht reparti i mbrojtjes, i cili ka gabuar edhe më tepër në përballjen me “djemtë e detit”. Nga sa mësohet, situata në dhomat e zhveshjes ka qenë tepër e nxehtë mes teknikut Canaj dhe lojtarëve të mbrojtjes shkodrane. Ai i ka kërkuar llogari gjithsecilit prej tyre. Nuk ka ngurruar aspak për të shigjetuar edhe lojtarë të veçantë, duket ua ngarkuar atyre përgjegjësinë për humbjen.
Analiza – Sot pritet që Vllaznia të zhvillojë një analizë për dy takimet e humbura me Skënderbeun në Shkodër dhe së fundmi me Teutën. Nuk përjashtohet mundësia që drejtuesit e klubit dhe të ekipit të marrin masa për lojtarë të veçantë. Nisur nga ajo që është thënë edhe pas takimit në Kavajë, nën akuzë do të vihet reparti i mbrojtjes. Nuk përjashtohen madje edhe penalizimet. Pra, ky dështim dhe për më tepër shkaktarët e tij nuk do ta kalojnë fort lehtë. Tekniku Canaj pas takimit ka theksuar se, gjatë gjithë kohës që ka drejtuar një skuadër, nuk ka parë asnjëherë që mbrojtja të gabojë në një mënyrë të atillë.
Sykaj – I vetmi nga shkodranët që ka folur pas takimit me Teutën ka qenë qendërmbrojtësi Arsen Sykaj. “Ka qenë një nga paraqitjet më të këqija që ne si repart kemi bërë ndonjëherë. Për mendimin tim, ne duhet të mbajmë përgjegjësitë tona për këtë takim. U kërkoj falje për këtë paraqitje tifozëve dhe drejtuesve të ekipit. Por nga ana tjetër mund të them se një ndeshje nuk do të thotë asgjë. Do të kërkoja që të gjithë së bashku ta harrojmë atë që ngjau në sfidën me Teutën dhe të shikojmë përpara. Le ta shfrytëzojmë këtë ndërprerje për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Ajo që ngjau me Teutën duhet harruar dhe ne si repart (mbrojtja) duket t’i rikuperojmë ato gabime që shfaqëm”, – përfundon Sykaj.
Admir Uruçi