Trajneri i Kastriotit, Emiljano Çela, e ka cilësuar si pozitiv barazimin e krutanëve ndaj Egnatias. Duke folur për “Oversport”, ai theksoi se ekipi kishte dhuruar një ndeshje të mirë e meritonte më shumë.

“Për mendimin tim, u bë një ndeshje e luftuar, një ndeshje shumë e fortë, luanim ndaj një ekipi në formë për momentin. Të luash këtu është bërë një kënaqësi se kushtet, ambienti, fusha, çdo gjë është perfekte. E kishim përgatitur ndeshjen gjatë javës por gjërat dolën ndryshe se ekipi kundërshtar ndryshoi mënyrë loje. Patëm pak minuta për të përgatitur atë që kishte rreshtuar kundërshtari, bëmë një ndeshje të mirë, qarkulluam topin, patëm raste, kontrolluam ritmin e lojës.

Patjetër që kemi problemet tona te vija e parë e sulmit se me aq shumë raste duhej të kishim konkretizuar patjetër. Është një pikë shpresëdhënëse për ne, tregon sa të fortë jemi, sa të ekuilibruar jemi. Jam i kënaqur me lojtarët që dhanë maksimumin pavarësisht rezultatit.

Zëvendësimet? Ndonjëherë është edhe çështje intuite, mendojmë se me 1 apo 2 lojtarë mund t’i kapim se ndonjëherë ndeshja me një detaj të vogël zgjidhet. Pastaj kur pashë që humbëm rast pas rasti, mendova të freskoja ekipin dhe ndoshta mund të kishim goditur me kundërsulm.

Siç e pashë unë ndeshjen kishim qarkullim topi, kishim kontrollin dhe rastet ishin nga ne. Mendoj se meritonim patjetër me shumë, por gjithsesi të marrësh një pikë me ekipin e Egnatias që është i investuar dhe cilësor, nuk mund ta quash kurrë një rezultat negativ, është pozitiv.

Problemi ynë është te sulmi se rastet po krijohen, lojtarët po zbatojnë detyrat dhe mënyrat e daljes sot ishin ndryshe nga sfida me Vllazninë. Mendoj se qarkullimin e kishim, por pastaj te finishi nuk është vetëm përgjegjësi e sulmuesit. Sulmuesi i krijoi, duhej t’i zgjidhte më mirë. Javët e para na kanë ikur dëm se këtë sulmues e morëm si kryesor dhe do kohën e vet, ai është përmirësuar dhe po arrin të shënojë me vazhdimësi në stërvitje. Sot jam i kënaqur edhe me Grecën e Zogajn, që dhanë sinjale para portës e futeshin në zonë, mendoj që në ndeshjet e ardhshme do të jemi më konkret dhe rezultativë”, tha Çela.

PANORAMASPORT.AL