Mbrojtësi i Vllaznisë, Klodian Semina, është i mendimit se kundërshtari i radhës, Skënderbeu, nuk është i pakalueshëm. Përballja e së enjtes është shumë e rëndësishme për kuqeblutë, pasi luajnë vendi i dytë dhe i treti, dhe një fitore mund të thotë shumë për vazhdimësinë. Sipas Seminës, rezultatet e fundit tregojnë një rritje të ndjeshme, por takimi me Skënderbeun do të jetë barometër për këtë Vllazni. “Ne e kemi vlerësuar që në seancën e parë stërvitore Skënderbeun. Vetë të qenit tri herë me radhë kampione e vendit thotë shumë për këtë skuadër dhe aq më tepër që është një nga më të konsoliduarat për momentin. Ne duhet të harrojmë atë çfarë kemi arritur deri më tani. Sfida me korçarët është si një finale për ecurinë tonë në këtë sezon. Kemi kaluar ekipe të forta, por Skënderbeu është më e forta skuadër me të cilën do ndeshemi. Mirëpo, ashtu si në përballjet e tjera dhe në këtë sfidë kemi vetëm një synim: fitoren. Duhet të shkojmë sa më lart në klasifikim, si dhe të kënaqim fansat tanë të zjarrtë. Ata meritojnë një skuadër kompetitive në këtë sezon. Do të kërkojmë fitoren, pasi për këtë rezultat futemi në çdo takim, aq më tepër që luajmë në shtëpi”.
Siguria – Për Seminën, merita që reparti i mbrojtjes ka pësuar vetëm dy gola në pesë takime, i përket punës që po bëhet në veçanti nga tekniku Canaj me këtë repart. “Mund të them se suksesi i deritanishëm i defensivës ka një sekret që lidhet me punën që tekniku Canaj po bën në veçanti me lojtarët e këtij reparti. Kërkesa e llogarisë dhe puna që po bëhet nga i gjithë ekipi është çelësi i suksesit të deritanishëm. Repartit tonë i del një detyrë e madhe në sfidën me Skënderbeun, që në radhë të parë të ruajë të paprekur portën, çka do të ishte një sukses dhe pastaj shokët e tjerë të ekipit të mendojnë për fitore. Shpresoj që edhe në këtë takim të bëjmë më të mirën e mundshme”.
Harmonia – Ecuria e Vllaznisë në këtë 5 javë të para të kampionatit ka qenë tejet pozitive. Një ecuri që, sipas Seminës, ka një shkak dhe që është pikërisht harmonia brenda Vllaznisë. Ky shikohet si çelësi i suksesit që tekniku Canaj ka implementuar tek të tijtë. “Ecuria pozitive e këtyre javëve të para ka një shkak dhe kjo është harmonia që kemi në skuadër. Tekniku ka ditur të fusë një gjë të tillë në ekipin tonë, çka duket te marrëdhëniet tona. Mendoj se me këtë harmoni dhe me këtë gjendje të mirë në të gjithë aspektet, mund të realizojmë atë çka ne dëshirojmë në këtë sezon”.

Admir URUÇI