Federata Shqiptare e Futbollit ditën e sotme po mban mbledhjen për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme në “Shtëpinë e Futbollit”. Në këtë mbledhje foli Armand Duka.

Kreu i FSHF-së bëri një bilanc të arritjeve dhe aktiviteteve të këtij viti të zhvilluara, ku u shpreh me superlativa për arritjet. Duka pati edhe kritika ndaj Ministres së Arsimit dhe Sporti, Ogerta Manastriliu.

Sipas Dukës, Manastriliu nuk ka kaluar ende fondin e premtuar për Euro U-17, ndërsa kërkon që në ditët në vazhdim të mbahet ky premtim, pasi në të kundërt vë në rrezik turnetë e ardhshëm.

Gjithastu kreu i FSHF-së bën thirrje që përfaqëesuesit e sportit të mos votojnë ligjin e propozuar ditën e djeshme nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ndër të tjera foli edhe për kritikat ndaj paraqitjeve të Kombëtares, duke theksuar se duhet mbështetur ekipi edhe atëherë kur nuk arrin të fitojë.

“Për Euro 2025 për U-17 që u organizua në Shqipëri, investuam 5.4 milionë euro vetëm në infrastrukturë. U bënë ndryshime të thelluara në stadiumet “Egnatia”, “Elbasan Arena”, “Niko Dovana” dhe me një fushë në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Rikonstruktuam fushat e “Selman Stërmasi”, “Skënder Halili”, “Roza Haxhiu”, “Tofik Jashari” dhe “Luzi i Vogël”; të domosdoshme për stërvitjen e ekipeve pjesëmarrëse dhe që do t’i mbeten futbollit shqiptar.

Në fakt, kur kandiduam për të qenë mikpritës të këtij turneu kishim një premtim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për mbështetje financiare, por deri tani nuk ka ndodhur. Urojmë që në ditët në vijim ministria ta përmbushë këtë angazhim të sajin, në të kundërt do na vendoste në pikëpyetje për aktivitetet e ardhshme.

Sot nuk jemi vetëm pjesë e rrjedhës në futbollin evropian, por një zë me peshë, një model pune dhe një partner i denjë në tryezat ku ndërtohet e ardhmja e këtij sporti. Më 11 shtator të këtij viti Komiteti Ekzekutiv i UEFA do mbajë mbledhjen e tij dhe do marrë vendime nga Tirana.

Dje, në Komisionin Parlamentar është propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit edhe “Ndryshimi i Ligjit për Sportin”, pa mirëkuptimin e asnjë të interesuari për sport dhe me kundërshtimin e argumentuar nga ekspertët tanë. Ai synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional. Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Komisionit Parlamentar dhe Kuvendit; që mos ta votojë atë ligj, por të bashkëpunojmë të gjithë organizatat sportive dhe grupet e interesit për të prodhuar një paketë ligjore që t’i shërbejë sportit.

Kam besim të plotë te futbollistët, te stafi teknik dhe administrativ i Federatës, por edhe te publiku që na mbështet pa kursim. Jam thellësisht mirënjohës dhe do jem përjetësisht falenderues për emocionet e paharrueshme që na kanë dhuruar. As ata, as ne nuk duam të quhemi heronj kur fitojmë dhe tradhtarë kur humbasim; sidomos nga ata që i japin të drejtën vetes duke u quajtur patriot. Jemi thjesht një skuadër që jep maksimumin në një lojë me tre rezultate. Kritika është e natyrshme pas një humbjeje, por nuk duhet të bëhet një rast i pritur me padurim për të zbrazur mllefet në emër të nacionalizmit dhe patriotizmit”, ka theksuar Duka në fjalën e tij.