Një shqetësim te Vllaznia në ndeshjen e miqësore të së martës të humbur në shifrat 4-0 ndaj Olimpija Ljubljana ishte edhe portieri, Kristi Qarri. Gardiani i shkodranëve u hodh në fushë në pjesën e dytë të lojës, por në minutën e 70-të u detyrua të braktiste ndeshjen.
Kjo pas një përplasje të tijën me një kundërshtar, që solli edhe një penallti për Olimpian. Përplasja në dukje nuk ishte edhe aq e fortë, por tronditja dukej të ishte reale për portierin. I cili nuk u rrezikua aspak nga ana e stafit mjekësor dhe atij teknik, në këtë mënyrë duke u zëvendësuar nga portieri tjetër, Bunjaj.
Megjithatë nga sa bëhet me dije në burime pranë klubit shkodran, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për gjendjen fizike të Qarrit dhe se portieri do të kthehet të japë kontributin e zakonshëm për skuadrën.
Kujtojmë se 24-vjeçari vetëm para pak javësh është rikuperuar totalisht nga një dëmtim që i zgjati që nga dhjetori i vitit 2024. Tashmë, në prag të sezonit 2025-26, Qarri pritet të jetë titullari i portës shkodrane, ku patjetër konkurrencë do ketë edhe Aron Jukajn, me portierin e ri që ishte një zbulim i kuqebluve në edicionin e shkuar.